Me datën 2 dhjetor në mjediset e Kampusit 2 të “Studimeve Master “, Instituti i Edukimit “Barleti” (IEB) i “Universiteti Barleti” zhvilloi një takim me trajnerët e jashtëm të UB-së. Trajnerët, e ftuar nga UB, janë personalitete të njohura në fushën e edukimit, por dhe me kontribute kombëtare në fushën e hartimit, zhvillimit të kurrikulës, të hartimit dhe zbatimit të standardeve profesionale të mësuesve dhe drejtuesve në punë.
Instituti i Edukimit “Barleti” do të ofrojë për të gjithë burimet njerëzore profesionale të arsimit parauniversitar, si: mësues, drejtues të kopshteve, shkollave publike dhe private, shërbimin arsimor të trajnimit të tyre me anë të sistemit të krediteve.Programet dhe modulet e IEB-it janë të njohura zyrtarisht dhe do të mbështesin zhvillimin profesional të mësuesve dhe drejtuesve të institucioneve të arsimit parauniversitar.
Kjo veprimtari e IEB u hap nga rektori i UB Prof.DR Marenglen Spiro , i cili i njohu të ftuarit me veprimtaritë kryesore të Instituti të Edukimit “Barleti”, të tilla si:
-Vlerësimi i brendshëm i cilësisë së shërbimit arsimor në nivelin e studimeve master
-Zhvillimi i programeve të studimeve master në fushën e edukimit
-Veprimtari për përmirësimin e kurrikulës universitare, por dhe mbikëqyrje dhe kontribute të mundshme për zhvillimin e kurrikulës së arsimit parauniversitar
-Projektet brenda dhe jashtë vendit në fushën e edukimit
-Trajnime të akredituara të mësuesve dhe drejtueve të institucioneve të arsimit parauniversitar
Më pas, Dr.Robert Gjedia, drejtori i Institutit të Edukimit “Barleti”, diskutoi me trajnerët rreth programeve dhe moduleve që IEB do të ofrojë për trajnimin e mësuesve dhe drejtuesve, si dhe për detaje të tjera që lidhen me mbarëvajtjen e këtij shërbimi arsimor, në mënyrë që ai të jetë shumë profesional dhe mbështetës për të gjithë të interesuarit që do të kërkojnë trajnime nga IEB.
Në fund të takimit, financierja e UB Miranda Berdo, i njohu pjesëmarrësit me kriteret financiare që UB ka përcaktuar për këtë shërbim arsimor.
Trajnimet e mësuesve dhe drejtuesve të arsimit parauniversitar do të fillojnë në mënyrë të planifikuar dhe të menaxhuar nga IEB me fillimin e vitit 2015.