Në kuadrin e 100 vjetorit të parlamentarizmit shqiptar, Departamenti i Qeverisjes, Shkencave Politike dhe Komunikimit, të Universitetit Barleti, hapi siparin e projektit “100 vjet parlamentarizëm” me të ftuar ish Presidentë të Republikës, Kryeministra e Kryeparlamentarë ndër vite, të cilët nëpërmjet bashkëbisedimit do të njohin studentët me arritjet dhe vështirësitë e parlamentarizmit në Shqipëri.
Në datën 14 nëntor 2019, i ftuari i parë ishte z. Bamir Topi i cili informoi studentët nëpërmjet një bashkëbisedimi miqësor, me përvojën e tij në mandatin 5 vjeçar të drejtimit të Presidencës duke vënë theksin në mungesën e kulturës politike dhe sidomos në prevalimin e interesave personale mbi ato publike në politikën shqiptare! Nga kontributi tij në jetën parlamentare evidentoi përvojën si kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe përvojën e tij në politikë që nga viti 1996.
Duke iu përgjigjur interesit të madh të studentëve dhe pedagogëve, presidenti informoi auditorin mbi vendimmarrjet e tij më të vështira si dhe ato që nuk do t’i kishte marrë nëse i rikthehej kohës. Studentët e shkencave politike me pyetjet e tyre krijuan një mjedis interesant e shumë të ngrohtë.
Në shenjë mirënjohje, Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Marenglen Spiro, vlerësoi kontributin e tij shtetëror dhe akademik duke e nderuar me simbolin e mirënjohjes.
I gjithë aktiviteti u moderua nga zv. Rektore akademike, Prof. Assoc. Dr. Zamira Cavo.