Në kuadër të projektit Erasmus + “Mbështetje Strategjike në forcimin e strukturave për sigurimin e cilësisë në institucionet jopublike të arsimit të lartë në Shqipëri”, 561510-PPE-1-2015-1-AT-EPPKA2-CBHEJP (QAinAL), financuar nga Komisioni Evropian, më datë 1 - 3 qershor, 2016, në Bukuresht, u organizua takimi i dytë me përfaqësues të institucioneve pjesëmarrës në projekt.
Ky takim u zhvillua në Universitetin Politeknik të Bukureshtit (UPB) me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Universitetit të Salzburgut dhe partnerëve të tjerë në projekt. “Universiteti Barleti” u përfaqësua nga drejtoresha e projekteve në UB, Esmeralda Hasani dhe koordinatorja e projektit, Enkelejda Hamzaj.
Gjatë takimit u diskutua për Sigurimin e Cilësisë në Universitetin Politeknik të Bukureshtit ku pjesëmarrësit u njohën me punën dhe metodologjitë që përdorte ky institucion për sigurimin e cilësisë. Përfaqësuesit e UPB trajtuan çështje të tjera si: bashkëpunimi i universitetit me sipërmarrjen, roli i kërkimit shkencor, metodat e vlerësimit në procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies, ligji i arsimit të lartë dhe tregu i punës në Rumani.
Në këtë takim pjesëmarrësit shkëmbyen eksperienca të ndryshme në lidhje me strukturat e sigurimit të cilësisë në institucionet që ata përfaqësonin.