Instituti Shqiptar për Çështjet Publike në bashkëpunim me IDM (Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim) dhe Qendrën YouthAct organizuan në Tiranë konferencën përfundimtare të Akademisë Rinore për të drejtat e Njeriut. Në këtë veprimtari morën pjesë përfaqësues nga 23 shkolla të mesme të vendit, të cilët prezantuan punimet e tyre si vizatime, ese, prezantime shkencore e video ku pasqyrohej puna e të rinjve për edukimin me të drejtat e njeriut dhe kundër korrupsionit.
Konferenca u zhvillua në Qendrën Kulturore Rinore të Tiranës, që gumëzhiu për tre orë nga zërat rinorë. Nxënësit e veshur me bluza me slogane për të drejtat e njeriut dhe kundër korrupsionit i dhanë një atmosferë entuziaste këtij aktiviteti rinor. Punimet e të rinjve u vendosën në tërë muret e sallës me emrin e shkollës përkatëse. Por ata donin të flisnin më tepër për punën e tyre gjatë gjashtë muajve të projektit dhe të gjithë ngrinin duart për të marrë fjalën gjatë kësaj konference të shkurtër në kohë por të realizuar jo vetëm me fjalime por edhe me paraqitjen grafike të veprimtarive të kryera në muaj.
Në fund të aktivitetit anëtarët e Akademive Rinore për të Drejtat e Njeriut, të Klubeve kundër Korrupsionit dhe Klubet e Integritetit miratuan një Memorandum Bashkëpunimi dhe përfaqësuesit e secilit grup shkollor e nënshkruan.
Aktiviteti u filmua dhe u shfaq nga disa medie ndërmjet të tjerave dhe nga Zëri i Amerikës. Puna e mirë e kryer deri tani nga nxënësit e shkollave të mesme të mbështetur nga Instituti Shqiptar për Çështjet Publike do të vazhdojë më tej me veprimtari të reja edhe në shkolla e qytete të tjera të vendit.
