Ditën e martë, më datë 31 maj, studentët e vitit të parë të programit në Shkenca Politike, prezantuan, në ambientet e “Universiteti Barleti”, rezultatet e projektit të tyre me titull “Bashkia Ime”.
Në këtë aktivitet, i pari i llojit të tij, krahas, studentëve, pedagogëve të ftuarve nderuan me pjesmarrjen e tyre, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Z. Erion Veliaj, Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Marenglen Spiro dhe Pro Rektorja Akademike, Prof. Ass. Dr. Zamira Çavo.
Projekti “Bashkia Ime” kishte në fokus punën studimore të studentëve mbi pritshmëritë e tyre për të sjellë Bashkinë më pranë qytetarëve. Studimi i tyre, i mbështetur mbi teoritë dhe leksionet e marra në auditoret e “Universiteti Barleti” u konkretizua me punë konkrete, intervista dhe sondazhe në terren. Studentët punuan nën drejtimin e pedagogëve të Departamentit Shkenca Politike, por edhe në mënyrë të pavaruar për pothuajse për dy muaj.
Studimi kishte në vëmendje evidentimin e problemeve kryesore sociale dhe jetike që prekin popullsinë e Tiranës sipas target grupeve moshore.
Secili nga studentët prezantoi natyrshëm dhe solli për të pranishmit situata dhe fakte konkrete duke sjellë të gjallë, jo vetëm problematikën, por edhe sugjerime për zgjidhjen dhe përmirësimin e saj.
Prezantimi i studimit u përmbyll me krijimin e një modeli të ri Bashkie, sipas këndvështrimit rinor. Puna e studentëve u vlerësua nga të pranishmit, në mënyrë të veçantë nga Z. Veliaj, i cili e konsideroi atë vetëm si hapin e parë të projektit të madh: “Tirana që Unë Dua”.
Prof. Ass. Dr. Çavo ishte mjaft entuziaste për këtë arritje të studentëve, ishte një iniciative rinore, u shpreh ajo në fjalën e saj, por që me siguri do të lërë gjurmë në rrugëtimin e gjatë të risive që të gjithë Ne duam.
Nuk munguan falenderimet dhe përgëzimet e rastit edhe nga Rektori i Universitetit dhe pedagogu shumë i dashur për të gjithë studentët, Erion Kristo.
Aktiviteti më pas u transformua në një tryezë të rrumbullakët, ku vetë Z. Veliaj dhe studentët, biseduam tashmë në pozita kolegësh, duke ndarë eksperienca, dëshira dhe rezultate.
Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, që i gjithë ky aktivitet shumë ngjyrësh me dritë dhe shpresë të mos mbetej i fiksuar në celuloid.
Duke i uruar suksese Studentëve të Vitit të Parë në Shkenca Politike: Ohrida Jaçelli, Blerta Methasani, Bledar Çika, Alesia dhe Xhesilda Shahini, Morison Jazaj, Paola Ymeri, Brahim Demi, Mbaresa Deva, Romario Hoxha, Klenisa Xheka, Jonida Isaku, Endri Shkëmbi dhe Vilma Nasufi, mbetemi në pritje të fazës së dytë të këtij projekti kaq domethënës!