Në datë 11 maj 2016, drejtuesit e Organizatës Kulturore Humanitare “Shpresa” nga
Lugina e Preshevës, vizituan “Universiteti Barleti”.
Nevzad Lutfiu, kryetar i organizatës, Dionesa Ebibi, zv/kryetare, Sead Bislimi, zv/kryetar
dhe Almin Shaqiri, kryetar i organizatës për komunën e Preshevës, janë katër të rinj, të cilët
angazhimet në parti të ndryshme politike nuk i kanë penguar që të bashkohën edhe me të rinj të
tjerë për të bërë ndryshimin e shumëpritur në këto troje.
Në një bisedë fillimisht me Prorektoren e Universitetit Barleti, Prof. As. Dr.
Zamira Çavo dhe stafin e Departamentit të Shkencave Politike, ata u shprehën se të jesh shqiptar
në Shqipëri dhe Kosovë, mund të jetë e vështirë, por të jesh shqiptar në Luginën e Preshevës, çdo
ditë është sfidë më vete. Lugina e Preshevës, e cila po përjeton gjithnjë e më tepër një asimilim,
jo vetëm diplomatic, por edhe kulturor, nën këndvështirimin e të rinjve ka nevojë gjithnjë e më
tepër për mbështetje të madhe morale, ka nevojë për arsimimin e të rinjve të kësaj lugine në
universitetet shqiptare, ka nevojë për integrimin në Europën e Bashkuar, po jo nëpërmjet
marrëveshjeve politike fasadë.
Gjithashtu edhe studentet e shkencave politike të këtij universiteti patën rastin të njihnin
nga afër në auditor, misionin dhe objektivat e kësaj organizate, problematikat dhe vështirësitë e
kësaj lugine në përgjithësi dhe të të rinjve në veçanti dhe u shprehën të gatshëm të ofrojnë
mbështetjen dhe bashkëpunim e tyre nëpërmjet projekteve të përbashkëta.
Me shpresën - siç është dhe vetë emri i organizatës - se këto takime do të shërbejnë për
rritjen e urave të bashkëpunimit, jo vetëm mes të rinjve, jo vetëm me institucionet arsimore
publike dhe private dhe shoqërinë civile, por edhe me shpresën se janë pikërisht të rinjtë ata që
bëjnë ndryshimin, ky takim u mbyll me një bisedë miqësore me Rektorin e
“Universiteti Barleti”, Prof. Dr. Marenglen Spiro.
Ata gjithashtu për ta përcjellë më gjerë mesazhin e tyre të shpresës, mbështetur në ne
idelat rinore dhe forcën e gjuhës shqipe, dhanë një intervistë për televizionin publik shqiptar.
