Përfaqësues të Universitetit Barleti morën pjesë në Erasmus+ Blended Intensive Programme (BIP) “One Health Digital Care: Artificial Intelligence, Digital Dentistry, Medicine and Rehabilitation”, zhvilluar më 21–25 shtator 2026 në Universitetin “G. d’Annunzio” Chieti–Pescara, Itali.
Universiteti Barleti ishte një nga institucionet partnere të këtij programi ndërdisiplinor, të koordinuar nga Prof. Bruna Sinjari dhe organizuar nga Department of Innovative Technologies in Medicine and Dentistry (DTIMO).
Programi mblodhi akademikë, studiues dhe studentë nga universitete të ndryshme evropiane dhe trajtoi tema që lidhen me inteligjencën artificiale dhe teknologjitë digjitale në mjekësi, stomatologji dhe rehabilitim, përfshirë stomatologjinë digjitale, cefalometrinë 3D, protetikën digjitale, implantologjinë dhe aspektet etike të teknologjive të reja në shëndetësi.
Prof. Edita Xhajanka, Dr. Amela Muca dhe Dr. Gezim Kamenica përfaqësuan Universitetin Barleti në këtë aktivitet, duke kontribuar në forcimin e shkëmbimit akademik dhe të mundësive për bashkëpunim në edukim, kërkim shkencor dhe inovacion.
Universiteti Barleti shpreh një falënderim të veçantë për Prof. Bruna Sinjari për koordinimin dhe organizimin e programit, si dhe për kontributin e saj në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve pjesëmarrëse.
Ky aktivitet përforcon angazhimin e Universitetit Barleti ndaj ndërkombëtarizimit, zhvillimit të kompetencave digjitale dhe integrimit të teknologjive të reja në edukimin dhe praktikën shëndetësore..
