Departamenti i Arkitekturës i Universitetit Barleti është partner dhe pjesëmarrës aktiv në edicionin ndërkombëtar të “AB INSULA” Summer School, që zhvillohet nga 14 deri më 18 shtator 2026 në Isole Tremiti, Itali.
Universiteti Barleti kontribuon në këtë aktivitet përmes pjesëmarrjes në komitetin shkencor, si dhe me praninë e pedagogëve Prof. Asoc. PhD. Etleva Dobjani dhe Prof. Asoc. PhD. Saimir Kristo, të angazhuar gjithashtu si tutorë në udhëheqjen e punës në terren. Pjesë e kësaj eksperience akademike ndërkombëtare janë edhe studentët e Arkitekturës të Universitetit Barleti.
Summer School synon të krijojë një hapësirë kërkimi, eksperimentimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar, me fokus në zhvillimin e modeleve inovative të banimit dhe co-housing. Nëpërmjet punës në terren dhe shkëmbimit të ideve, pjesëmarrësit eksplorojnë mënyra të reja për të ndërthurur zhvillimin urban me ruajtjen e kujtesës historiko-kulturore dhe peizazhit unik të ishujve.
Nisma financohet nga Regjioni i Pulias dhe organizohet në bashkëpunim me institucione të rëndësishme akademike ndërkombëtare, ndër të cilat Politecnico di Bari dhe University of Copenhagen.
Pjesëmarrja në “AB INSULA” përfaqëson një tjetër mundësi për studentët e Universitetit Barleti për të zhvilluar njohuritë dhe aftësitë e tyre përmes eksperiencave praktike, ndërdisiplinore dhe ndërkombëtare në fushën e arkitekturës dhe zhvillimit urban.
