Në kuadër të bashkëpunimeve të vazhdueshme me profesionistë dhe ekspertë të fushës së arsimit special dhe gjithëpërfshirës, më datë 6 qershor 2025, pranë Universitetit Barleti u zhvillua një orë e hapur mësimdhënieje me temë: “Rëndësia e gjithëpërfshirjes dhe roli i mësuesit ndihmës.”
E ftuar speciale në këtë aktivitet ishte znj. Migen Sulaj, drejtoreshë e Qendrës Multidisiplinare KODDI, e cila ndau me studentët përvojën e saj profesionale në punën me fëmijët me çrregullime të zhvillimit dhe të spektrit të autizmit.
Gjatë orës së hapur, znj. Sulaj theksoi rëndësinë e krijimit të një ambienti shkollor të hapur dhe mbështetës për çdo fëmijë, duke vënë në dukje rolin kyç që ka mësuesi ndihmës në procesin e gjithëpërfshirjes. Ajo solli shembuj praktikë dhe diskutoi me studentët për mënyrat konkrete se si mund të ndërtohet dhe zbatohet gjithëpërfshirja në sistemin arsimor.
Studentët e pranishëm e vlerësuan këtë aktivitet si një mundësi të vlefshme për të thelluar njohuritë dhe për të reflektuar mbi sfidat dhe mundësitë që paraqet arsimi gjithëpërfshirës në Shqipëri.
Ky aktivitet është pjesë e angazhimit të Universitetit Barleti për të ofruar një formim profesional të plotë dhe të ndjeshëm ndaj diversitetit për studentët e programeve të edukimit.