Universiteti Barleti shpallet fitues i projektit me titull: “Indeksi i Zhvillimit të Fëmijërisë së Hershme – Aplikimi i tij në Shqipëri”, me drejtues shkencor Prof. Dr. Evda Veveçka.
Ky është një projekt në kuadër të fushës prioritare “Shëndetësi dhe Shkenca Mjekësore”, i financuar nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), si pjesë e Projekteve Kombëtare të Kërkimit dhe Zhvillimit për vitin 2025.
Vitet e fëmijërisë së hershme kanë një rëndësi thelbësore për zhvillimin afatgjatë të individit. Fëmijët që marrin kujdes të duhur shëndetësor, ushqim të përshtatshëm, nxitje të hershme mendore dhe emocionale, mundësi për të mësuar dhe mbrojtje të vazhdueshme në vitet e para të jetës, kanë më shumë gjasa të arrijnë një zhvillim optimal në të mësuar, mirëqenie psikosociale dhe shëndet. Sipas neuroshkencës, mjedisi në të cilin rritet një fëmijë gjatë kësaj periudhe është vendimtar për formimin dhe funksionimin e trurit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e konsideron investimin në zhvillimin e hershëm të fëmijëve si ndër më të zgjuarit që mund të bëjë një shtet – me përfitime që i tejkalojnë ndjeshëm kostot.
Aktualisht, në Shqipëri mungon një indeks i standardizuar për vlerësimin dhe monitorimin e zhvillimit në fëmijërinë e hershme. Ky projekt synon të përshtasë dhe të aplikojë në gjuhën shqipe një indeks të tillë vlerësimi, si ECDI2030. Njëkohësisht, duke vlerësuar statusin e zhvillimit në vitet e para të jetës, projekti do të shërbejë si një udhëzues për përmirësimin e politikave publike dhe shërbimeve të edukimit dhe kujdesit për këtë grupmoshë.
Fjalë kyçe: Fëmijëria e hershme; Të mësuarit; Mirëqenie psikosociale; Shëndet.