Në kuadër të nismave për edukimin qytetar dhe forcimin e integritetit akademik, studentët e Departamentit të Drejtësisë morën pjesë në një leksion të hapur me temë: "Fenomeni i korrupsionit në arsimin e lartë."
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte rritja e ndërgjegjësimit të studentëve mbi format dhe pasojat e korrupsionit në sistemin arsimor, si dhe nxitja e tyre për të kontribuar në parandalimin dhe denoncimin e praktikave korruptive. Në këtë mënyrë synohet ndërtimi i një mjedisi akademik të drejtë, transparent dhe funksional.
Të pranishëm në këtë leksion ishin edhe përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme Antikorrupsion, të cilët ndanë me studentët informacione mbi rolin dhe kompetencat e institucionit që përfaqësojnë. Ata sollën gjithashtu shembuj konkretë dhe raste praktike nga puna e tyre, duke i udhëzuar studentët mbi mënyrat e raportimit të rasteve të dyshuara të korrupsionit pranë autoriteteve përkatëse.
Ky leksion përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt edukimit të brezit të ri me vlerat e integritetit, ligjshmërisë dhe përgjegjësisë qytetare.