
Në një atmosferë të mbushur me emocione dhe energji pozitive, kampusi i Universitetit Barleti hapi dyert për ish-studentët e tij – tashmë profesionistë të suksesshëm në fusha të ndryshme – për të ndarë së bashku kujtime të çmuara dhe histori suksesi.
Ky rikthim nuk ishte thjesht një udhëtim nostalgjik, por një moment i veçantë për të parë nga afër zhvillimet më të fundit të institucionit tonë. Alumni-t patën mundësinë të njiheshin me kampusin modern, programet e reja akademike dhe projektet që synojnë të përgatisin studentët për tregun e punës.
Risi të rëndësishme përfshijnë hapjen e Poliklinikës Universitare Barleti – një hap domethënës drejt inovacionit dhe shërbimit ndaj komunitetit.
Një pjesë e veçantë e këtij eventi ishin rrëfimet frymëzuese nga disa prej alumni-ve tanë, të cilët ndanë eksperiencat e tyre gjatë studimeve dhe ndikimin që Barleti ka pasur në formimin e tyre profesional dhe personal.
Petrit Selmani, Eraldo Harlicaj, Saimir Brahimi, Brunilda Malliu, Xhoana Luli dhe Mine Gyla ndanë histori suksesi që dëshmojnë vlerën e arsimit cilësor dhe mbështetjen e vazhdueshme të Barletit në rrugëtimin e tyre.
Me mbi 20 vite histori, Barleti vazhdon të rritet, duke ndërtuar ura mes brezave dhe duke promovuar vlerat e dijes, bashkëpunimit dhe zhvillimit personal.
