Në kuadër të forcimit të bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe zgjerimit të partneriteteve akademike, më 9 maj 2025, Departamenti i Drejtësisë në Universitetin Barleti, nën kujdesin e Prof. Assoc. Dr. Elizabeta Imeraj, mirëpriti një delegacion nga Universiteti Ambis i Pragës.
Delegacioni u prit nga përfaqësues të stafit akademik dhe drejtues të fakultetit, si dhe nga Zyra e Projekteve dhe Kërkimit Shkencor. Diskutimet u përqendruan në tematika kyçe si përmirësimi i kurrikulës, zhvillimi i projekteve të përbashkëta kërkimore, shkëmbimi i përvojave akademike dhe mundësitë për bashkëpunime të mëtejshme në fushën e mobilitetit të studentëve dhe stafit pedagogjik.
Pas takimeve institucionale, përfaqësuesit e Universitetit Ambis zhvilluan një bashkëbisedim me studentët e Drejtësisë, gjatë të cilit u diskutuan mundësitë e përfshirjes në programe ndërkombëtare dhe mobilitetit akademik. Më pas, delegacioni vizitoi ambientet e universitetit, duke përfshirë auditorët, sallat e leksioneve dhe laboratorin e klinikës juridike.
Vizita u përmbyll me një sesion fotografik të përbashkët, duke shënuar një hap domethënës në drejtim të konsolidimit të marrëdhënieve mes dy institucioneve.