Ishte tema e debatit të hapur me studentët e Univeristetit “Ismail Qemali” Vlorë, më 25 nëntor të organizuar pranë këtij universiteti nga katedra Jean Monnet në Universitetin Barleti, në bashkëpunim me Institutin Shqiptar për Çështjet Publike dhe Universitetin e Vlorës, mbështetur nga Ambasada Holandeze në Shqipëri, me pjesëmarrjen e pedagogëve dhe studentëve të universitetit të Vlorës, ekspertëve të shoqërisë civile dhe drejtuesve të qeverisjes vendore.
Në këtë takim mori pjesë zëvendës ambasadori i Mbretërisë se Holandës, z. Jurgen van Meirvenne, kryetarja e Këshillit Bashkiak Vlorë, Vojsava Shkurtaj dhe Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte bashkëbisedimi me studentët dhe ndërgjegjësimi i tyre se dhuna me bazë gjinore do të reduktohet dhe eliminohet duke nxitur arritjen e barazisë gjinore. Ky aktivitet ishte në vargun e veprimtarive që Katedra Jean Monnet ka kryer na mbare vendin me Akademinë e vet lëvizëse gjatë vitit 2015.
Përshëndetja e zëvendës ambasadorit të Holandës, fjala e rektorit dhe kryetares së këshillit bashkiak u ndoqën me interesim nga të pranishmit dhe nxiten një sërë pyetjesh të bëra nga studentët në këtë takim. Po rreshtojmë disa prej tyre, “Pse nuk janë përfshirë më parë të rinjtë e Vlorës në veprimtari të tilla; A do të ketë veprimtari të mëtejshme në vijim të kësaj nga Ambasada e Holandës; Si i gjykoni politikat e qeverisë shqiptare në këtë fushë; Si i gjykoni dhe a ka shifra të sakta për abortet selektive, që dëmtojnë jo vetëm fëmijën por edhe nënat; A ka një databazë për numrin e grave në vendimmarrje dhe si janë rezultatet e tyre”
Më tej pedagogët, dr. Ervis Martani dhe dr. Erjon Hitaj shpjeguan legjislacionin shqiptar për të drejtat e gruas dhe instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të ratifikuara nga Parlamenti i Shqipërisë që kanë ndikuar fuqimisht për të punuar në këtë fushë dhe përballuar fenomenin jo thjesht duke ndërgjegjësuar por edhe detyruar aktorët përkatës në zbatimin e këtyre ligjeve. Sigurisht këto ligje duhet të njihen nga qytetarët, të rinjtë e gratë në veçanti në mënyrë qe të kërkohet zbatimi i tyre me përparësi.
Një vlerë të veçantë në këtë debat përçuan përvojat konkrete të sjella nga përfaqësuesja e shoqatës ‘Vatra’ dhe nga mësuesja e shkollës ‘Halim Xhelo’ znj. Adriana Zahaj. Shoqata Vatra prej rreth 20 vitesh punon me viktimat e dhunës dhe trafikimit të grave e fëmijëve, përfshirë jo vetëm Vlorën po edhe zonat e tjera pranë, deri ne Berat e Sarandë duke ju ofruar ndihmë e mbështetje grave e fëmijëve të tyre, duke i pajtuar me familjet apo siguruar punësim për të përballuar jetesën. E reja e viteve te fundit është se kanë filluar të punojnë edhe me dhunuesit. Znj. Zahaj së bashku me nxënësit e akademisë rinore për të drejtat e njeriut, sollën një studim rasti të një ngjarjeje konkrete të shkollës së tyre, si dhe eksperiencën dhe trajtimin nëpërmjet ndërmjetësimit për zgjidhjen e rasteve të abuzimit verbal ndaj vajzave.
Aktiviteti pati interes dhe u mbyll me angazhimin për të zhvilluar veprimtari të tjera të përbashkëta.