Më 10–11 prill 2025, Universiteti Barleti mori pjesë në aktivitetin “Practitioners’ Days”, të zhvilluar në Salzburg, Austri, në kuadër të projektit WB-Edu4Migration, i financuar nga Erasmus+.
Në këtë aktivitet, Universiteti Barleti u përfaqësua nga anëtarët e grupit të punës së projektit, Dr. Jorida Rustemi, Koordinatore e Projektit, dhe Dr. Olta Murataj, pjesë e stafit akademik të universitetit, të cilat morën pjesë aktive në punimet dhe diskutimet mes partnerëve.
Ky aktivitet mblodhi institucione akademike dhe organizata partnere nga Shqipëria, Kosova, Danimarka dhe Austria, për të prezantuar praktikat më të mira dhe për të ndarë përvoja mbi mbështetjen për migrantët përmes arsimit, shërbimeve sociale dhe përfshirjes komunitare.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të njiheshin dhe të bëheshin pjesë e praktikave të suksesshme të organizatave ndërkombëtare si Caritas, Diakonie Refugee Counselling, Apropos – Newspaper for Homeless dhe SOS Balkan Route — modele konkrete të mbështetjes për migrantët.
Po ashtu, pjesëmarrësit u mirëpritën në “ABZ – Shtëpia e Mundësive”, ku u prezantuan iniciativa për këshillim kundër diskriminimit, punë komunitare dhe aktivitete kulturore me komunitetin e migrantëve.
Takimi solli reflektime mbi kurrikulat kombëtare dhe ndërkombëtare, praktikat integruese dhe fuqizimin përmes bashkëpunimit ndërsektorial.
Ky angazhim pasqyron përkushtimin e Universitetit Barleti për të kontribuar në politika gjithëpërfshirëse ndaj diversitetit dhe migracionit përmes edukimit.