Sot, më 15 prill 2025, në ambientet e Universitetit Barleti u zhvillua takimi zyrtar mes përfaqësuesve të Universitetit Barleti dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri–Japoni (AJCCI), me rastin e nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi që formalizon një bashkëpunim të gjerë institucional.
Në takim morën pjesë Rektorja e Universitetit, Prof. Dr. Suzana Guxholli, dhe Dr. Edmond Trako, Administrator i Fakultetit të Shkencave Mjekësore, ndërsa AJCCI u përfaqësua nga z. Gjergj Teneqxhiu, anëtar i Bordit Drejtues, dhe z. Erion Lekaj, Sekretar i Dhomës.
Ky memorandum parashikon bashkëpunim në disa fusha kyçe si: zhvillimi i kurrikulave të përbashkëta, praktikat profesionale për studentët, projekte të kërkimit të aplikuar dhe inovacionit, si dhe organizimi i aktiviteteve të përbashkëta që lidhin më fort universitetin me botën e industrisë dhe sipërmarrjes.
Përmes kësaj marrëveshjeje, Universiteti Barleti dhe AJCCI angazhohen të kontribuojnë në krijimin e një ekosistemi sipërmarrës konkurrues, të hapur ndaj ndërkombëtarizimit dhe të fokusuar në përgatitjen e brezave të rinj me aftësi praktike dhe vizion global.