Më datë 09 prill 2025, Departamenti i Drejtësisë në Universitetin Barleti organizoi një leksion të hapur me pjesëmarrjen e veçantë të z. Arben Imami, ish-deputet dhe një nga themeluesit e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Gjatë këtij aktiviteti, z. Imami ndau me studentët përvojën e tij të drejtpërdrejtë në hartimin dhe miratimin e Kushtetutës, duke shpjeguar sfidat institucionale të kohës, funksionimin e rendit kushtetues dhe nevojën për rishikime të vazhdueshme në përputhje me zhvillimet demokratike. Leksioni përfshiu gjithashtu një diskutim mbi konceptet kryesore kushtetuese si dhe një analizë krahasuese me modele të tjera bashkëkohore.
Gjatë takimit u prezantua edhe libri më i fundit i z. Imami, “Kushtetuta – projekte, debate, reforma dhe perspektiva”, ndërsa disa kopje të tij iu dhuruan studentëve dhe stafit akademik të Fakultetit të Shkencave Juridike dhe Politike.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Rektorja e Universitetit, Prof. Dr. Zana Guxholli, e cila në fjalën e saj përshëndetëse përgëzoi studentët për pjesëmarrjen aktive dhe vlerësoi kontributin e z. Imami në edukimin ligjor dhe zhvillimin e mendimit kritik mbi çështjet kushtetuese.