Më 2 Prill 2025, në ambientet e Universitetit Barleti u zhvillua Panairi i Punës, një nga ngjarjet më të rëndësishme për zhvillimin profesional të studentëve, i organizuar nga Zyra e Karrierës në bashkëpunim me Klubin e Karrierës. Panairi solli së bashku mbi 50 kompani lider në tregun shqiptar dhe ndërkombëtar, duke ofruar mundësi të shumta për internship, praktika profesionale, trajnime dhe punësim të drejtpërdrejtë.
Përshëndetjen zyrtare e mbajti Rektorja e Universitetit Barleti, Prof. Dr. Suzana Guxholli, e cila theksoi rëndësinë e bashkëpunimeve të qëndrueshme me biznesin si një element thelbësor për fuqizimin e karrierës së studentëve dhe përgatitjen e tyre të suksesshme për tregun e punës.
Studentët patën mundësinë të njihen nga afër me përfaqësues të kompanive më të njohura, të marrin pjesë në sesione informuese dhe diskutime, si dhe të ndërtojnë një rrjet të vlefshëm kontakti për të ardhmen e tyre profesionale.
Panairi i Punës në UniBa vijon të jetë një platformë e çmuar ndërveprimi, që lidh botën akademike me realitetin dinamik të punësimit.