Sot, studentët morën pjesë në një trajnim të veçantë, të organizuar nga Zyra e Karrierës, i cili u ofroi mundësinë për të thelluar njohuritë dhe aftësitë e tyre në një proces kyç të punësimit – intervistën e punës.
Ky trajnim ishte një mundësi e shkëlqyer për studentët e programeve të ndryshme studimi, duke i ndihmuar ata të fitojnë një kuptim më të gjerë dhe të detajuar mbi procesin e intervistimit mes një punëdhënësi dhe një punëmarrësi.
Sesioni, i udhëhequr nga eksperti Dr. Rezart Prifti, pasqyroi në mënyrë praktike një sërë përvojash të lidhura drejtpërdrejt me procesin e intervistimit. Dr. Prifti ndau me studentët njohuritë dhe përvojën e tij të gjerë në këtë fushë, duke e bërë sesionin jashtëzakonisht të vlefshëm për ata që duan të përgatiten sa më mirë për marrjen e mundësive të reja në karrierë.
Gjatë këtij sesioni praktik, studentët përfituan një sërë këshillash dhe strategjish të dobishme, të cilat do t'i ndihmojnë ata të përballojnë me sukses intervistat e punës dhe të prezantojnë veten në mënyrë profesionale para punëdhënësve.