
Më 23 janar 2025, në ambientet e Universitetit "Barleti", u mbajt konferenca "Rezultatet e para të një iniciative inovative për vaj ulliri më cilësor". Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit "Zbatimi i teknologjive inovative të integruara të vjeljes dhe përpunimit të ullirit për përmirësimin e cilësisë së vajit", financuar nga AKKSHI dhe zbatuar nga Universiteti "Barleti" në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe biznesin "Olivae Oleoteca".
Më shumë se 50 pjesëmarrës, përfshirë kërkues shkencorë, pedagogë të UniBa, përfaqësues të sektorit privat dhe studentë, morën pjesë në këtë konferencë dhe u njohën me rezultatet paraprake të projektit, ndër të cilat:
Përcaktimi i kohës optimale të vjeljes së ullirit me metoda të avancuara.
Vlerësimi i ndikimit të ruajtjes dhe ftohjes së frutave në cilësinë përfundimtare të vajit të ullirit.
Fjalët përshëndetëse u mbajtën nga Prof. Dr. Suzana Guxholli, Rektorja e Universitetit "Barleti", përfaqësues të Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe administratorja e "Olivae Oleoteca". Ata theksuan rëndësinë e këtij projekti për avancimin e sektorit bujqësor dhe prodhimin e vajit të ullirit me standarde të larta cilësie.
Në përfundim të konferencës, u zhvillua një sesion diskutimesh dhe pyetje-përgjigje, ku pjesëmarrësit ndanë perspektivat dhe idetë e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj iniciative.
Falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin dhe kontributin e tyre të çmuar në këtë diskutim të frytshëm!
