Në kuadër të programit të shkëmbimit Erasmus+, Departamenti i Qeverisjes, Shkencave Politike dhe Komunikimit dhe Departamenti i Turizmit, Mikpritjes dhe Rekreacionit mirëpritën profesorët Fernando Llagas Gelo dhe Magdalena Reifs López, nga Fakulteti i Drejtësisë dhe Shkencave të Biznesit të Universitetit të Kordobës, Spanjë.
Gjatë vizitës pesëditore në UniBa, profesorët e nderuar zhvilluan takime me drejtuesit më të lartë të universitetit, ku u diskutua për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, me fokus në intensifikimin e shkëmbimeve akademike, kërkimore-shkencore dhe mobilitetit për stafin dhe studentët. Këto takime shënojnë një hap të rëndësishëm drejt krijimit të mundësive të reja për bashkëpunime të frytshme dhe inovative në fushat e ekonomisë, turizmit, shkencave politike dhe drejtësisë.
Krahas shkëmbimit të eksperiencave dhe praktikave në kuadër të Erasmus+, profesorët vizituan kampuset e universitetit dhe zhvilluan orë leksioni të hapur, workshop-e dhe aktivitete të tjera akademike me studentët e UniBa.
Konkretisht, Prof. Fernando Llagas Gelo, në bashkëpunim me Dr. Florina Pazarin, mbajti një leksion të hapur me studentët e vitit të dytë të programit Menaxhim në Turizëm, Rekreacion dhe Evente, me temë: "Zhvillimi ekonomik dhe aktiviteti turistik: mundësitë, sfidat dhe kërcënimet – Përvoja spanjolle". Gjatë aktivitetit, studentët patën mundësinë të shkëmbenin mendime dhe të angazhoheshin në diskutime interaktive, duke analizuar sfidat që ka kaluar Spanja në zhvillimin e sektorit të turizmit. Përvoja e ndarë shërbeu si një model frymëzues për të identifikuar mundësitë dhe për të reflektuar mbi mënyrat sesi Shqipëria mund të përmirësojë situatën aktuale në këtë sektor.
Gjithashtu, studentët e programit Master i Shkencave nga Departamenti i Qeverisjes, Shkencave Politike dhe Komunikimit ndoqën një leksion të hapur mbi parimet që udhëheqin krijimin e korpusit ligjor komunitar dhe rëndësinë e tij. Diskutimi përfshiu gjithashtu kompetencat e institucioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve Anëtare në miratimin dhe zbatimin e legjislacionit komunitar të sanksionuar në Traktate. Studentët shprehën interes të veçantë për sfidat aktuale me të cilat përballet Shqipëria në procesin e integrimit evropian.