Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit Barleti, në bashkëpunim me Grand Dental Hospital & Laboratory, organizoi një leksion të hapur me temë: "Fushata Slow Dentistry – Sfidat e Menaxhimit të Turizmit Dentar në Shqipëri."
Gjatë leksionit dhe diskutimeve interaktive me studentët, u trajtuan parimet bazë të këtij profesioni, të cilat do të jenë udhërrëfyes gjatë karrierës së tyre në industrinë e dentistrisë. Filozofia e konceptit Slow Dentistry thekson rëndësinë e një qasjeje të kujdesshme dhe të qëndrueshme, ku:
-Pacienti është në qendër të vëmendjes, dhe jo modeli i biznesit.
-Prioriteti i jepet cilësisë përpara shpejtësisë, duke kundërshtuar mentalitetin "E dua tani."
-Sterilizimi dhe higjiena luajnë rol vendimtar në parandalimin e sëmundjeve infektive dhe të transmetueshme.
-Koha e mjaftueshme është çelësi për arritjen e përsosmërisë në trajtime.
Kjo qasje synon të ngadalësojë ritmet e shpejta të jetës sonë moderne, duke rikthyer përparësinë tek kujdesi i kujdesshëm.
Ky leksion shërbeu si një mundësi unike për studentët për të reflektuar mbi etikën dhe sfidat e menaxhimit të turizmit dentar, duke nënvizuar rëndësinë e profesionalizmit dhe përkushtimit ndaj pacientit.