
Aktiviteti do të jetë një leksion i hapur i organizuar nga Klubi Studentor me drejtim Shkenca Kompjuterike dhe Informatike, me temën "Printimi 3D: Nga Ideja te Realizimi".
Leksioni do të zhvillohet në datën 17 Dhjetor, në ora 12:00, në sallën Creative Maker Space.
Ky leksion do të drejtohet nga Vera Hoxha dhe Koi Barbullushi. Pjesëmarrës do të jenë studentë të Shkencave Kompjuterike, Informatikës së Aplikuar, dhe Biznesit Digjital.
Përmbajtja e Leksionit:
Printimi 3D është një teknologji moderne që lidhet ngushtë me Teknologjinë e Informacionit (IT), pasi procesi fillon dhe mbështetet në sisteme dixhitale. Fillimisht, krijohet një model në programe CAD (Computer-Aided Design), i cili më pas përpunohet dhe konvertohet në formate të lexueshme nga printerët 3D, si STL ose G-code. IT luan një rol kyç në optimizimin e materialeve, automatizimin e procesit dhe monitorimin e printerëve në kohë reale përmes sensorëve të lidhur me rrjetin.
Kjo teknologji ka gjetur përdorim të gjerë në fusha të ndryshme si mjekësia, inxhinieria, dhe arti, duke ofruar zgjidhje inovative dhe efikase.
Në këtë leksion, do të bëjmë një prezantim të shkurtër mbi historinë dhe zhvillimin e printimit 3D. Më pas, përmes një demonstrimi konkret, do të tregohet procesi i realizimit të një objekti 3D.
