NJË FESTË E SUKSESIT DHE EMOCIONEVE
Më 24 tetor, në Qendrën Kulturore – Kisha Ortodokse, Universiteti Barleti zhvilloi ceremoninë e diplomimit për studentët e vitit 2024.
Në një atmosferë festive, plot emocion dhe krenari, të diplomuarit, së bashku me familjarët dhe miqtë e tyre, festuan këtë arritje të rëndësishme në jetën e tyre akademike dhe profesionale.
Ceremonia u hap me një fjalë përshëndetëse nga Rektorja, Prof. Dr. Suzana Guxholli, e cila përgëzoi studentët për përkushtimin e tyre gjatë viteve të studimeve dhe i inkurajoi për sfidat e reja që i presin në karrierën profesionale.
Fjalime përshëndetëse mbajtën gjithashtu të ftuarat e nderuara, Ministrja e Shtetit për Sipërmarrje dhe Klimë të Biznesit, Delina Ibrahimaj, dhe Zëvendës Kryetarja e Bashkisë së Tiranës, Frida Pashako, të cilat theksuan rëndësinë e arsimimit cilësor dhe mbështetjen institucionale për studentët e diplomuar.
Çdo moment i ndarjes së diplomave përmblodhi punën e palodhur dhe përkushtimin e tyre gjatë viteve të studimeve, ndërsa familjarët dhe miqtë ndanë gëzimin dhe krenarinë e kësaj dite të paharrueshme.
Të diplomuarit u ngjitën në podium për të marrë diplomat e tyre, të përshëndetur me duartrokitje të zjarrta nga të pranishmit.
KJO DITË SHËNOI FILLIMIN E NJË KAPITULLI TË RI PËR TË DIPLOMUARIT, TË CILËT, ME MBËSHTETJEN E UNIVERSITETIT DHE TË FAMILJARËVE, JANË TË PËRGATITUR PËR SFIDAT DHE MUNDËSITË E ARDHSHME PROFESIONALE.
Pas ceremonisë zyrtare, të ftuarit dhe të diplomuarit u mblodhën në një ambient të organizuar për të ndarë urimet dhe emocionet e këtij suksesi të përbashkët.