25 Shtatori eshte Dita Botërore e Farmacistëve. Ka qenë Këshilli i Federatës Ndërkombëtare të Farmacistëve (FIP) ai që në Turqi, në vitin 2009 e ka përcaktuar datën 25 Shtator si ditën e farmacistëve, në përkujtim të datës së krijimit të organizatës, në vitin 1912. FIP-i i inkurajon farmacistët që në këtë ditë të organizojnë aktivitete që favorizojnë dhe mbrojnë rolin e farmacistit në përmirësimin e shëndetit në çdo cep të botës.
Me ftesë të Agjensisë Kombetare të Barnave dhe të Pajsjeve Mjekësore,koordinatorja e Departamentit të Shkencave Mjekësore dhe Shëndetit Znj.Lorena Mato ka qënë e pranishme në aktivitetin e organizuar në Parkun Rinia.
Tema e Ditës Botërore të Farmacistëve është një mundësi për të bërë me dije se si po e transformojnë farmacistët fushën e shëndetësisë përmes një sërë shërbimesh shëndetësore në komunitetet e tyre, përfshirë këshillimin për një jetë të shëndetshme, vaksinimin për të parandaluar sëmundjet dhe sigurinë që barnat të merren në mënyrë korrekte, duke administruar kështu mirë sëmundjet dhe duke përmirësuar cilësinë e jetës.
Kjo temë përfshin gjithashtu mënyrën se si shkencëtarët e fushës së farmaceutikës transformojnë dhe zgjasin jetën e njerëzve duke zhvilluar barna dhe vaksina të sigurta dhe efektive. Në frontin e arsimit, profesorët e fushës po i transformojnë rezultatet duke u siguruar që ka mjaft farmacistë dhe shkencëtarë të kualifikuar e kompetentë për të përmbushur nevojat në rritje të shoqërive tona.
Të jesh farmacist, do të thotë që në jetën tënde të kesh pranuar të ndihesh i misionizuar.
Të jesh farmacist, do të thotë që gjithashtu të ndihesh një student i përjetshëm.
Në një ditë si kjo e sotmja,shprehim një falenderim për të tërë brezat e farmacistëve shqiptarë, të cilët kontribuan në zhvillimin e farmaceutikës shqiptare.