Në periudhën 2024-2025, Universiteti Barleti, në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe biznesin Olivea Oleoteca sh.p.k., do të zhvillojnë projektin 'Zbatimi i teknologjive inovative të integruara të vjeljes dhe përpunimit të ullirit për përmirësimin e cilësisë së vajit', me drejtues projekti Dr. Angjelina Vuksani.
Projekti, i fushës prioritare të Bujqësisë, Ushqimit dhe Bioteknologjisë, financohet nga AKKSHI, në kuadër të programeve kombëtare të kërkimit shkencor për vitin 2024, si projekt që vjen si bashkëpunim i universitetit me biznesin (PTI).
Qëllimi i projektit është zhvillimi i praktikave inovative të vjeljes dhe përpunimit të ullirit në funksion të përmirësimit të cilësisë së vajit. Projekti do të japë kontribut të rëndësishëm dhe inovativ në përmirësimin e teknologjive të vjeljes, ruajtjes dhe përpunimit të ullirit bazuar në kritere shkencore, duke ndihmuar në prodhimin e vajit cilësor të ullirit. Studimi do të vlerësojë parametrat për stadin e duhur të vjeljes dhe do të ofrojë udhëzime për menaxhimin e ullishteve.
Njohuritë e reja do të ndihmojnë në uljen e kostove dhe përmirësimin e higjienës dhe sigurisë ushqimore, duke rritur ndërgjegjësimin dhe përgatitjen e fermerëve për të shmangur rreziqet.