Ditën e mërkurë, më datë 10.06.2015 u organizua Panairi i Ideve - Shkolla si Qendër Komunitare, në mjediset e Muzeut Historik, nën drejtimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve.
Në panair morën pjesë përfaqësues, nxënës dhe mësues, nga 45 shkolla në vend. Nxënësit e shkollave paraqitën projekt-ide të shkëlqyera për të transformuar shkollën në njësi qëndrore në shërbim të komunitetit. Në këtë aktivitet mori pjesë kryeministri Z. Edi Rama dhe përfaqësues të qeverisë si Znj. Lindita Nikolla, Ministre e Arsimit Znj. Eglantina Gjermeni, Ministre e Zhvillimit Urban, Znj. Mimi Kodheli, Ministre e Mbrojtjes, Znj. Klaida Gjosha Ministre e Integrimit, Z. Niko Peleshi, Zv. Kryeministër, Z. Shkëlqim Cani, Ministër i Financave.
Z. Rama në fjalimin e tij theksoi rëndësinë që ka transformimi i shkollave në qendra komunitare si promotorë të ndryshimit të komunitetit. Ai theksoi mbështetjen e qeverisë për këtë projekt duke i mëshuar forcimit të bashkëpunimit mes qeverisë qëndrore, qeverisë lokale dhe shkollës. Lënia e një fondi të posaçëm për projektet që do të mundësojnë transformimin e shkollave në qendra komunitare ishte premtimi që Kryeministri u bëri nxënësve dhe mësuesve pjesëmarrës në aktivitet.
Katër prej projekteve u shpallën fitues dhe morën çmime. Universiteti Barleti i dha çmim Shkollës “A.Z.Cajupi”, projekti i së cilës synonte transformimin e mjediseve të jashtme të shkollës në park të gjelbëruar duke e kthyer në funksion të shkollës dhe komunitetit.
Panairi është një prej aktiviteteve zinxhir të organizuar nga MAS dhe me bashkëpunimin e organizatave ndërkombëtare si World Vision, Save the Children, Unicef për transformimin e shkollës në qendër të rëndësishme komunitare dhe në aktor transformimi të komunitetit.
Universiteti Barleti në bashkëpunim me MAS, nëpërmjet projektit “Shkolla si Qendër Komunitare - Ekosistemi i edukimit për zhvillim të qëndrueshëm”, do të mbështese 7 shkolla në vend të cilat do të kthehen në model të shkollës - qendra komunitare e do të shërbejnë si referencë për transformimin e shkollave të tjera në mbarë vendin.