
Më datë 5 Qeshor 2022 në ambjentet e Universitetit Barleti në kuadër të bashkëpunimeve të Institutit për Kërkim dhe Zhvillim Barleti - BIRD me NGO-të e tjera në Shqipëri u zhvillua seminari me temë: “Procesi i Rishikimit të Kufijve të Zonave të Mbrojtura në Shqipëri”.
Aktiviteti u mbajt nga Qendra EcoAlbania së bashku me Shoqatën Ornitologjike të Shqipërise (AOS) dhe grupin e avokatëve nga ResPublika.
Rëndësia e këtij aktiviteteti ishte informimi dhe ndërgjegjësimi i studentëve të arkitekturës dhe drejtësisë mbi Zonat e Mbrojtura, rëndësinë e tyre në integritetin biologjik, procesin e rishikimit të kufijeve të Zonave të Mbrojtura dhe strategjinë e litigimit të ndjekur gjatë procesit të rishikimit.
Seminari nisi me një prezantim nga Dr. Taulant Bino – President i AOS (Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë), i cili trajtoi temën "Ndikimi i pritshëm në integritetin biologjik të ZM-ve, si pasojë e ndryshimit të kufijve të tyre".
Vijoi prezantimin, Z. Olsi Nika – Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania, i cili prezantoi "Roli i OSHC-ve në vendim-marrje dhe rëndësia e fushatës advokuese dhe lobuese në funksion të forcimit të kauzës".
Prezantimi i fundit u mbajt nga Z. Dorian Matlija- Drejtor Ekzekutiv i ResPublica me temën "Prezantim i strategjisë së litigimit për kauzën e ZM-ve në Shqipëri".
Studentët e programit të studimit Arkitekturë dhe Drejtësi shfaqën interes lidhur me kauzat e ngritura dhe iniciativat që po merren në vendin tonë lidhur me këto tema.
