
Më datë 11 Qershor 2023 përfundoi zbatimi i Programit të Shkollës së Drejtorëve për vitin akademik 2022-2023 i drejtuar nga Departamenti i Shkencave të Edukimit dhe Trajnimit Profesional.
Në brezin e pestë të Universitetit “Barleti” ishin 46 pjesëmarrës drejtues dhe aspirantë për drejtues, të cilët e ndoqën rregullisht këtë program. Programi u dha mundësi atyre që të zhvillojnë kompetencat e duhura, profesionale të drejtimit dhe menaxhimit të shkollës konform standardeve zyrtare për drejtuesit e shkollës, lidhur me tematika të tilla, si: Vizoni i shkollës, planet zhvillimore të saj, mbledhja dhe përpunimi i të dhënave në shkollë, vëzhgimi dhe vlerësimi i proceseve të mësimdhënies dhe të të nxënit, menaxhimi i burimeve njerëzore dhe financat, zbatimi i ligjshmërisë në shkollë, por dhe çështje që lidhen me partneritetet dhe
zhvillimin profesional të stafeve mësimore të shkollës.
Trajnimi u karakterizua nga ndërveprimi aktiv trajner-pjesëmarrës, nga përdorimi i rasteve studimore dhe situatave që lidhen me jetën reale të shkollës. Për secilin modul në fund u realizua dhe një minitest me pyetje me alternativa dhe raste studimore që, jo vetëm, matën aftësitë e tyre të fituara, por dhe i kanë bërë pjesëmarrësit më të përgatitur për testimin final që do të zhvillohet në 23 shtator 2023 nga Shkolla e Drejtorëve.
Si staf i pedagogëve/trajnerëve të Universitetit “Barleti” i urojmë suksese këtij brezi në prezantimin e projekteve dhe testimin final, por dhe jemi besimplotë në kontributin e tyre si drejtues të efektshëm të institucioneve arsimore, parauniversitare në Shqipëri.
