
Njësia e Zhvillimit të Kurrikulës dhe Cilësisë në bashkëpunim me Departamentin e Shkencave të Edukimit dhe Zhvillimit Profesional organizoi në datën 20 mars 2023, në mjediset e UniBa-s një kurs trajnimi me temë “Trajnim i pedagogëve të rinj për përmirësimin e proceseve të mësimdhënies dhe të nxënit”. Pjesëmarrës të kursit të trajnimit ishin stafi akademik i Fakultetit të Shkencave Mjekësore.
Ai u zhvillua në kuadrin e zbatimit të politikave të zhvillimit të kulturës së cilësisë e më konkretisht në atë të zhvillimit të stafit akademik. Fokusi ishte në rritjen e aftësive profesionale për realizimin e një mësimdhënie cilësore me studentët.
Struktura e kursit përbëhej nga parimet e të nxënit për të rriturit, misioni i UniBa-s dhe standardet e programeve të studimit që orientojnë procesin e mësimdhënies dhe të të nxënit, tipet e ndërveprimit pedagogjik, aktiv me studentët në procesin mësimor, treguesit e një mësimdhënie cilësore, lidhja midis metodave dhe teknikave të mësimdhënies dhe përdorimit të tyre në procesin mësimor, mësimdhënia ndërvepruese në procesin mësimor, etj.
Kursi u karakterizua nga një mjedis ndërveprues, si dhe përdorimi e ndërthurja e metodave të ndryshme të bashkëveprimit. Ai u vlerësua mjaft pozitivisht nga pjesëmarrësit.
