Në zbatim të projektit “Edukimi i të rinjve nëpërmjet programit STEAM”, mbështetur nga Bashkia Tiranë në kuadër vitit Tirana-Kryeqyteti Evropian të Rinisë, në mjediset e Universitetit “Barleti” u zhvillua trajnimi i 30 mësuesve të gjimnazeve të Tiranës: “Petro Nini Luarasi”, “Ismail Qemali”, “Qemal Stafa”, “Sami Frashëri”, “Besnik Sykja”.
Nga secili gjimnaz merrnin pjesë 6 mësues të shkencave, të matematikës, të arteve, të teknologjisë dhe TIK-ut, të cilët janë njohur me filozofinë, parimet, praktikat e planifikimit dhe zhvillimit të mësimdhënies sipas modelit mësimor “STEAM” konform kurrikulës me kompetenca që zbatohet në shkollë.
Mësuesit paraqitën punimet e tyre dhe diskutuan rreth pikave të forta dhe mundësive që ata kanë për të pasuruar proceset e mësimdhënies dhe të të nxënit me anë të modelit “STEAM”, si një rrugë efektive për edukimin dhe formimin e të rinjve me aftësi kërkimore, aftësi të të menduarit kritik e krijues, të problem zgjidhjes, që janë të domosdoshme për jetën.
Projektet ose produktet më të mira që do të përgatiten nga nxënësit gjatë orëve mësimore dhe projekteve ndërlëndore e do të prezantohen me datë 20 Dhjetor 2022, ku do të jepen dhe çmime fituese për to.
Modeli “STEAM” ka gjetur përkrahje dhe mbështetje nga mësuesit e gjimnazeve, të cilët në bashkëpunim me drejtoritë e tyre po mendojnë të zbatojnë në vijimësi orë mësimore dhe projekte lëndore mbi këtë metodologji.