Sot, më datë 14 janar 2015, në Kampusin II të “Universitetit Barleti” u zhvillua leksioni i hapur me teme: Trashëgimia industriale në plan global dhe kombëtar.
I ftuar ishte z. Ilir Parangoni, drejtor ekezekutiv i Qendrës Trakult (Qendra për Trashëgimi Kulturore Shqiptare).
Duke folur përpara studentëve dhe të pranishmëve të tjerë, z. Parangoni e përqendroi leksionin e tij rreth bazave të studimit, ruajtjes, sistemit të vlerave dhe të ardhmes së trashëgimisë industriale në planin global dhe kryesisht atë kombëtar.
Sa i takon trashëgimisë industriale në Shqipëri, ai u përqendrua në trashëgiminë ushtarake si pjesë e asaj industriale: çfarë ajo përfaqëson në vendin tonë dhe si vlerësohet; çfarë kemi trashëguar dhe a është ajo një trashëgimi e padëshiruar; rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe përfshirjen brenda saj të monumenteve të së shkuarës industriale, së bashku me vlerat që ajo mbart.
Rëndësi të vecantë iu dha dhe produkteve më të rëndësishme të kësaj ëndrre të zhdukur industriale, bunkerëve. Nëpërmjet një ekzaminimi mbi vendndodhjen dhe arsyet e ndërtimit, arrihet një kuptim i ksenofobisë gjeopolitike prapa orientimit drejt autarkisë që Shqipëria përjetoi në rreth katër dekada komunizëm.
Leksioni u mbyll me një seancë pyetje-përgjigjesh.