Konferenca e dytë Shkencore Ndëruniversitare “Mundësitë dhe Sfidat për një Zhvillim të Qëndrueshëm të Turizmit“, u zhvillua me sukses më 27 maj 2021. Konferenca u organizua nga Universiteti Barleti (Qendra BRIDGE dhe Departamenti i Turizmit, Mikpritjes dhe Rekreacionit) në bashkëpunim me Universitetin “Eqerem Çabej“ në Gjirokastër (universiteti iniciator), Universitetin “Fan S. Noli“ në Korçë dhe Universitetin “Luigj Gurakuqi“ në Shkodër.
Në kushtet e pandemisë si dhe në respektim të plotë të masave anti-Covid, konferenca u zhvillua Online, në platformën ZOOM, ku morën pjesë akademikë, pedagogë, studiues dhe ekspertë të fushës së turizmit brenda dhe jashtë universiteteve partnere.
Seanca plenare u hap me përshëndetjet e autoriteteve më të larta drejtuese të katër universiteteve partnere, si dhe nderoi me prezencën e saj Zv. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Znj.Ornela Çuçi dhe Znj.Madlina Puka, Ekspertja e Turizmit dhe Aventurës e Projektit Triple P. nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal.
Në konferencë u referuan 38 kumtesa (autorësi të vetme apo bashkëautorësi), të foksuara në zhvillimin e turizmit në kohën e pandemisë, trashëgiminë natyrore dhe kulturore, menaxhimin e turizmit të qëndrueshëm, etj.
Në konkluzionet e konferencës, u shkëmbyen ide dhe mendime mes akademikëve dhe kërkuesve shkencorë, duke vënë theksin në rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit dhe thellimin e studimeve dhe kërkimeve shkencore nga universitetet dhe qendrat e kërkimit shkencor, në mënyrë që zëri i akademikëve dhe studiuesve të dëgjohet në institucionet vendimarrëse dhe hartimin e politikave dhe strategjive të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit.