Instituti Shqiptar për Çështjet Publike, AIPA dhe Departamenti i Qeverisjes, Shkencave Politike dhe Komunikimit, në Universitetin Barleti, organizuan më datë 21 maj, 2021, në kuadër të Ditës Botërore për Diversitet Kulturor, Dialog dhe Zhvillim, forumin online me temë: “Të barabartë dhe të bashkuar në Diversitet”.
Diversiteti dhe pranimi i tij në veçanti, marrin këtë vit një vlerë dhe peshë më të madhe dhe më të rëndësishme. Për këtë aspekt dhe të tjerë të lidhur me të u diskutua në këtë forum online, të moderuar nga Eurona Leka, Drejtore Ekzektuive e AIPA, ku krahas pedagogëve dhe studentëve të Universitetit Barleti, na nderoi me pjesmarrjen e tij Z. Bledar Taho Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Kulturës Rome në Shqipëri.
Takimi u përshëndet nga Përgjegjësi i Departamentit të Qeverisjes, Shkencave Politike dhe Komunikimit, Dr. Shpëtim Cami, i cili theksoi në fjalën e tij se diversiteti dhe pranimi i tij, janë norma të një shoqërie të lirë dhe demokratike.
Sipas axhendës, vijoi fjala e Z. Bledar Taho, i cili pas një parashtrimi teorik të konceptit të diskriminimit, e ilustroi fjalën e tij me shembuj nga realiteti shqiptar dhe përfundoi me evidentimin e gjetjeve dhe rekomandimeve për nevojën dhe domosdoshmërinë e pranimit të tjetrit pa e diskriminuar edhe paragjykuar. Diskutimi vijoi më pas me fjalën e Dr. Olta Murataj, e cila parashtroi konceptin e diskriminimit nën një qasje rinore, duke theksuar se forca e ndryshimit për çdo shoqëri është rinia aktive.
Në forum morën pjesë në mënyrë aktive Prof. Asoc. Dr. Zamira Çavo dhe ish Ambasadori Gilbert Galanxhi. Forumi ishte mjaft interaktiv, por edhe pse nuk shteroi të gjitha pikëpyetjet mbi diversitetin, realizoi mësë miri rolin ceremonial të kremtimit të kësaj dite të shënuar.
Gëzuar Ditën Botërore për Diversitet kulturor, paqe dhe zhvillim!