Akordohet nga Komisioni Evropian, drejtimi i Katedrës Zhan Mone (Jean Monnet Chair) pranë Universitetit Barleti, pedagogut të studimeve Evropiane, Dr. Dorian Jano-s. Katedra Zhan Mone është një çmim prestigjioz ndërkombëtar i cili synon të promovojë ekselencën në mësimdhënie dhe në kërkimin shkencor në fushën e studimeve Evropiane, me theks të veçantë procesin e integrimit Evropian. Ky titull është vlerësimi dhe arritja më e lartë akademike për studiuesit e BE-së dhe institucionin pritës. Katedra Zhan Mone përfshin bashkë-financim, i cili mundëson zgjerimin e aktivitetet mësimore dhe kërkimore në fushën e Integrimit Evropian, si dhe ndihmon në rritjen e bashkëpunimeve ndërkombëtare të kërkimit shkencor në fushën e studimeve Evropiane.
Fokusi i Katedrës Zhan Mone pranë UB-së për tre vitet e ardhshëm do të jetë procesi i zgjerimit të BE-së dhe ndikimi i tij në Ballkanin Perëndimor (WBINTEG). Synimi është ri-vitalizimi dhe nxitja e kërkimit shkencor dhe debatit politik rreth procesit të zgjerimit të BE-së drejt vendeve të mbetura të Ballkanit Perëndimor. Projekti WBINTEG analizon aspektet politike, juridike dhe ekonomike të zgjerimit të BE-së duke përfshirë një numër sa më të madh aktorësh nga bota akademike, politike dhe shoqëria civile. Interesi akademik dhe puna kërkimore e drejtorit të katedrës, Dr. Jano, përfshin studimin e aspekteve të ndryshme të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Dr. Jano ka paraqitur punime në konferenca ndërkombëtare dhe ka botuar artikuj të ndryshme në revista shkencore ndërkombëtare rreth çështjeve të Evropianizimit të Ballkanit Perëndimore dhe Zgjerimit të BE-së.
Hapja e Katedrës Zhan Mone pranë Universitetin Barleti është një shembull konkret i vlerësimit të ekselencës në mësimdhënie dhe kërkimin shkencor të pedagogëve të UB-së në nivel ndërkombëtar. Universiteti Barleti dhe stafi i tij është i përkushtuar për të arritur dhe promovuar cilësinë akademike sipas vlerave dhe praktikave më të mira perëndimore.
