Kampionia në fuqi Barleti Volley e ka nisur mbarë edhe këtë sezon sportiv.
Trofeu i parë i sezonit 2014-2015 në volejboll për femra shkon për skuadrën e Barleti Volej, e cila në ditën e mërkurë datë 24 Shtator 2014 ka arritur të fitojë Kupën e Federatës, duke mundur në finale Teutën e Durrësit me rezultatin 3-0, në pallatin e Sportit “Asllan Rusi” .
Një sukses që tregon se ekipi i drejtuar nga Hasan Gurabardhi, mbetet për momentin ekipi më i fortë i kampionatit. Ndeshja që ka përcjelle më shumë emocione ka qënë ndeshja gjysmë-finale me ekipin e Tiranës, që është fituar me rezultatin 3-0 për vajzat tona.
Lojtaret e Tiranës u pëpoqen vazhdimisht për të çorientuar vajzat e Barletit, por lojtaret tona ishin më të mobilizuara, dhe e ruajtën formen e tyre deri në fund.
Për t’u nënvizuar paraqitja e shkëlqyer e Nezajt dhe Brahos, por edhe ajo e 19- vjeçares Eni Fagu, e cila u është bashkuar në këtë sezon kampioneve të Shqipërisë.
Ndersa ndeshja finale kundër ekipit të Teutës ishte paksa me hope nga të dyja skuadrat, por në fund Barletaset tregojne potencilet e tyre të vërteta. Dy setet e para krijuan përshtypjen se i “prenë këmbët” Teutës, e cila tek i treti nuk kishte më forcë t’i bënte ballë kundërshtarit.
Pikëshënuesja më e mirë për ekipin e Teutës ishte Sejda Smalaj, e cila sado që dha maksimumin e saj, skuadra bregdetare nuk mundi ti bënte rezistence vajzave universitare.
Në fund festa është e gjitha për ekipin e universitetit privat “Barleti”, që fiton titullin e katërt zyrtar brenda një viti kalendarik.