Broshura e Konferencës: Zhvillimi i Kapitalit Njerëzor, Sfida dhe Perspektiva (Shkarko ne format PDF)
Në datë 6 qershor 2014, zhvilloi punimet konferenca ndërkombëtare me temë “Zhvillimi i Kapitalit njerëzor, Sfida e Perspektiva”. Konferenca u organizua nga Instituti Shqiptar për Çështje Publike dhe Universiteti Barleti në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Arsimit Profesional, Trajnimit e Kualifikimit dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Në konferencë referuan përfaqësues të institucioneve publike kombëtare dhe ndërkombëtare, akademikë dhe ekspertë të fushës së edukimit dhe trajnimit. Gjithashtu, morën pjesë në këtë konferencë specialistë nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë si dhe Shkolla e Administratës Publike, përfaqësues nga shkollat e mesme profesionale, universitetet dhe OJF-të.
Sesioni i parë i konferencës, ‘Politika dhe Strategji’, u moderua nga Dr. Saemira Pino, Dekane e Fakultetit të Shkencave Sociale pranë Universitetit Barleti. Prof. Dr. Marenglen Spiro, rektor i UB-së, iu referua si rast, punës dhe veprimtarive që realizon Universiteti Barleti në realizimin e studimeve akademike e kualifikimeve të mëtejshme. Z. Eduard Shalsi, deputet, kryetar i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, në fjalën e tij diskutoj rreth rëndësisë së kombinimit të drejtë dhe efikas të përvojës praktike dhe kualifikimit në punë si një strategji për të avancuar në karrierën profesionale. Një drejtim tjetër ku zoti Shalsi tërhoqi vëmendjen ishte përputhshmëria e kurrikulave apo temave master dhe doktoraturat në universitete tona me nevojat konkrete të zhvillimit të vendit, si dhe realizimi i përgatitjes jo vetëm të ekspertizës por edhe të fuqisë punëtore. Znj. Maria Do Gomes, përfaqësuese e Organizatës Ndërkombëtare të Punës në Shqipëri shpjegoi “Përse duhet reforma në arsimin profesional?” Znj. Gomes theksoi se ndryshimet e shpejta social ekonomike ndikojnë aftësitë që i duhen tregut të punës, prandaj duhet më shumë integrim ndërmjet arsimimit dhe komponentëve të arsimit profesional, të cilët synojnë në arritjen e një ekuilibri midis kualifikimit të punonjësve dhe vendeve të punës të krijuara. Z. Frank Hantke, përfaqësues i zyrës së fondacionit Friedrich Ebert për Shqipërinë, bazuar në modelet e vendeve të zhvilluara si Gjermania por edhe nga përvoja e vet personale, theksoi se në Shqipëri duhet të synohet në përafrimin e trajnimit me kërkesat e tregut të punës. Në Shqipëri edukimi nuk është i lidhur me nevojat praktike, ka shumë juristë, doktorë por mungojnë inxhinierët, ose ka parukierë e makina larës me shumicë, po jo mekanikë apo elektroauto-mekanikë, etj. Kjo kërkon një lidhje më të mirë të shkollës me biznesin, duhet një strategji e përbashkët qeveri, biznes, arsim.
Paneli i dytë, ‘Përvoja dhe Rekomandime’, u moderua nga Dr. Zamira Cavo, përgjegjëse e Departamentit të Shkencave Politike, Universiteti Barleti. Znj. Sonila Limaj, drejtore e Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, referoi mbi ‘Sfidat në arsimin profesional dhe Strategjia për punësim dhe aftësi, 2014-2020’. Znj. Limaj analizoi sfidat aktuale në arsimin profesional si dhe shpjegoi vizionin e Strategjisë Kombëtare për Arsimin Profesional me moton: ekonomi konkurruese - shoqëri gjithëpërfshirëse. Qëllimi i përgjithshëm i kësaj strategjie është: Nxitja e vendeve të punës cilësore dhe mundësi për aftësi për të gjithë gjatë gjithë jetës. Dr. Robert Gjedia, Drejtor i Institutit të Edukimit “Barleti”, UB referoi mbi ‘Perspektiva dhe sfida për rritjen e numrit të nxënësve në arsimin profesional’ duke dhënë një sërë rekomandimesh për të përmirësuar AFP si dhe rritur numrin e nxënësve në të. Znj. Arlinda Hoti, Drejtore e Drejtorisë së Trajnimit të Vazhdueshëm, Shkolla Shqiptare e Administratës Publike, referoi mbi ‘Trajnimin e administratës publike sipas legjislacionit të shërbimit civil’ duke shpjeguar zhvillimin e shkollës së administratës publike dhe misionin institucional të saj që është formimi profesional i nëpunësve civilë, një formimi i thelluar dhe i vazhdueshëm. Znj. Ejvis Gishti, eksperte në Agjencinë Kombëtare te Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, në referatin e vet ‘Korniza shqiptare e kualifikimeve -
një instrument në shërbim të ZHBNJ’ argumentoi se klima aktuale e biznesit inkurajon përqendrimin e vëmendjes ndaj rolit tё zhvillimit tё burimeve njerëzore.
Znj Gishti shpjegoi ecurinë e zhvillimit dhe zbatimit të kornizës së kualifikimeve në Shqipëri duke argumentuar domosdoshmërinë e saj edhe me shembuj nga literatura botërore. Një përvojë të vlefshme dhe të pasur paraqiti në këtë konferencë përfaqësuesi i Shkollës Austriake “Peter Mahringer” në Shkodër z. Markus Offner për nivelin e përgatitjes së teknikëve IT duke prezantuar me pamje të ndryshme veprimtaritë e kryera nga kjo shkollë në fushën e teknologjisë së informacionit. Prof. Nevruz Koçi, Përgjegjës i Departamentit Ekonomik, UB referoi rreth ‘Flukseve migratore dhe efektet e tyre ne kapitalin njerëzor’ duke dhënë një pasqyrë të gjerë e plot informacion të ilustruar me shifra për lëvizjen e popullsisë brenda e jashtë vendit dhe ndikimin që ka në zhvillimin e kapitalit njerëzor e atë ekonomik. “Të mësuarit e së ardhmes - sfidat e mësimdhënies me kategoritë e cenuara” u referuar nga PhD. Eda Baka Peço, eksperte - UNHCR, Tiranë.
Studimi ka të bëjë me reagimin e shoqërisë nga presioni i ndërkulturalizmit, diversitetit të vlerave dhe normave në procesin edukues dhe impenjimit të mësuesve për të krijuar një skenë shoqërisht funksionale në prezencë të diversitetit kulturor në shkollë.
Në fund të konferencës u bënë konkluzionet nga znj. Lavdie Ruci, program menaxhere e Institutit Shqiptar për Çështjet Publike.
