Ditën e mërkurë dt. 26 qershor 2013 në Universitetin “Barleti”, pas një bashkëpunimi të frytshëm mes Fakultetit të Drejtësisë dhe Universita degli Studii Roma Tre, u organizua lektoriumi i të nderuarit profesor Mazzamuto me temë “Kontrata dhe Evropa”. Profesor Mazzamuto, një profesionist me eksperiencë të gjerë në sistemin e drejtësisë italiane si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, punonjës i Ministrisë së Drejtësisë në kohën e qeverisë teknike Monti dhe autor i një sërë tituj librash specialiteti, trajtoi temën e Kontratës së Shërbimeve dhe Legjislacionit Evropian kushtuar mbrojtjes së konsumatorit.
Profesor Mazzamuto trajtoi në mënyrë të hollësishme çështjen e kauzave të përgjithshme kontraktuale dhe situatën shpeshherë të pambrojtur të konsumatorit, gjithmonë në kontekstin e nocionit të tregut të lirë, si një nga vlerat bazë të Bashkimit Evropian.
Një trajtim i thelluar dhe plot risi rreth kontratave bankare dhe legjislacionit shqiptar në krahasim me atë evropian, erdhi nga znj. Enkeleida Pulo, doktorante pranë Shkollës Ndërkombëtare Doktorale “Tullio Ascareli”, si drejtor i së cilës shërben prof. Salvatore Mazzamuto.
Ky lektorium u pasua nga diskutime të pedagogëve të departamentit të të drejtës private pranë universitetit “Barleti” si znj. Aida Bushati, e cila trajtoi gjendjen reale të legjislacionit shqiptar kushtuar mbrojtjes së konsumatorit si dhe problematikat që hasen në zbatimin e tij nga gjykatat shqiptare. Diskutimi u pasua nga pasqyra e gjerë që pedagogia Edlira Lloha i bëri legjislacionit për shoqëritë tregtare në Shqipëri dhe vështirësitë që hasen në implementimin e tij.
Ky aktivitet u moderua nga Shefi i Departamentit të të Drejtës Private pranë universitetit “Barleti”, Ledian Droboniku, Phd. dhe u përmbyll me firmosjen e një marrëveshjeje në kuadër të bashkëpunimit midis universitetit “Barleti” dhe Universita Degli Studii, Roma Tre , i cili do të materializohet me një program të përbashkët studimesh doktorale në fushën e drejtësisë.