"Administrata publike dhe rekrutimi i studentëve të diplomuar në Shkenca Politike", ishte tema e takimit të zhvilluar në datë 6.04 2009 në ambientet e Universitetit "Barleti", me të ftuar prof. Artan Fuga dhe MA.Roland Bejko.
Z.Bejko, ish-prefekt i qarkut të Beratit dhe aktualisht drejtor drejtorie në Ministrinë e Punëve të Brendshme, u paraqiti studentëve një panoramë të gjerë mbi rregullat e punësimit në vendet e Europës perëndimore, në rrafsh krahasues si dhe për mundësitë e ecurisë në karrierë si rezultat i traditës së konsoliduar të këtyre vendeve.
Një theks i veçantë iu vu rolit të partive politike në lidhje me interesat e qytetarëve dhe reflektimi i këtij roli në trupën politike dhe atë civile të administrates publike shqiptare. Z.Bejko njohu studentët me problemet aktuale të administratës publike, lidhur me atë që Weber e quan "qeverisja e mirë".
Gjithashtu ai i njohu studentët me raste specifike të kritereve të zbatuara me kandidatët për punësim si dhe ecurinë në karrierë në administratën publike pas periudhës 3-mujore të provës e në vazhdim. Takimi u mbyll me një intervistë punësimi të improvizuar mes prof. Fugës dhe zotit Bejko.