I nderuar zoti Ambasador i SH.B.A -së, Shkëlqesia juaj Z. Aleksander Arvizu,
Të nderuar miq dhe të ftuar
Të nderuar studentë
Të nderuar nxënës të shkollave të mesme
Të nderuar kolege
Ndjehem e privilegjuar sot t’i uroj mireseardhjen në Universitetin “Barleti”, me rastin e ceremonisë zyrtare për hapjen e qendrës së këshillimit për arsim (EducationUSA Advising Center) , Ambasadorit të vendit tim, në vendim tim, zotit Arvizu.
Një vit më parë, bashkë me stafin punonim për të paraqitur një projekt propozim sa më të mirë dhe konkurues për këtë qendër, të ndërgjegjshëm se ajo do të kishte vlera të mëdha edukimi për të gjithë të interesuarit pavarësisht nga mosha, apo niveli i shkollimit.
Ishim të bindur që përpara universiteti tonë qëndronte një sfidë e re; këshillimi i paanshëm, i saktë, dhe i hapur për të gjithë të interesuarit për të studjuar në Amerikë, ëndër kjo, jo vetëm e shqiptarëve por e të gjithë të rinjve në botë.
Besuam në aftësitë tona, përvojën dhe stafin tonë akademik e administrativ. Universiteti “Barleti “është shumë i ri, si të gjithë universitet e tjera private në Shqipëri, vetëm 8 vjeç. Një fëmijë që po rritet shpejt i ushqyer nga dija, kujdesi e përkushtimi. Dhe si për çdo fëmijë, ngjarjet e jetës së tij kanë qenë të shumta duke shënuar në ditarin e tij momente të rëndësishme, arritje, suksese, sfida dhe kontribute në fushën akademike, kërkimore, botuese, komunitare etj. është pa dyshim e pa mundur t’i rendis të gjitha, prandaj do të ndalem vetëm në disa prej tyre. Kemi organizuar shumë konferenca kombëtare, rajonale, dhe ndërkombëtare, duke u udhëhequr nga parimi dhe detyrimi që akademiket duhet të diskutojnë dhe trajtojnë problemet e rëndësishme të vendit dhe t’i japin rrugë zgjidhje atyre.
Auditoret tana kanë shërbyer si tryezë e debatit ndër ekspertë, kërkues e studjues, politikanë dhe analistë për urat e bashkëpunimit ekonomik, kulturor, arsimor, etj. ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë; për historinë 10 vjeçare të Kushtetutës së Shqipërisë dhe ndikimet që do të sillnin ndryshimet kushtetuese në funksionimin e shtetit ligjor, mbi sfidat e integrimit europian të vendit, mbi legjislacionin zgjedhor dhe sistemin elektoral më të mirë për vendin, mbi të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve, mbi problemet e barazisë gjinore dhe rolin e tyre në demokratizimin e jetës, mbi krizën ekonomike dhe ndikimin e saj në vendin tonë, Gjykatën Administartive si alternativë apo domosdoshmëri etj. Audiorët kanë shërbyer si vendi ku janë mbledhur e është debatuar për draft ligje të rëndësishme në fushën e të drejtës, të urbanistikës, administrimit të financave publike e buxhetit.
Me dhjetra janë titujt e botimeve dhe përkthimeve në gjuhën shqipe të tekseve akademike të realizuara nga botimet “Barleti” press.
Studentët dhe pedagogët e Universitetit Barleti kanë patur nderin dhe kënaqësinë të degjojnë e diskutojnë me profesorë e akademikë të ftuar nga shumë universitete të huaja, të bashkebisedojnë me diplomatë e ambasadorë të akredituar në vendin tonë.
Ne e kemi konceptuar Universitetin tonë si një vend ku komunikimi me studentët nuk bëhet vetëm në auditor.
Çdo ditë ne synojmë që krahas punës dhe përpjekjeve për të edukuar dhe përgatitur ekonomistë e administratorë biznesi, informaticienë, juristë, psikologë, sociologë e politologë, të përgatisim mbi të gjitha qytetarë, të denjë për këtë vend, vajza dhe djem që në të përditshmen e tyre të karakterizohen nga qëndrimi aktiv, promovues dhe kritik.
Cilësia akademike, shprehitë praktike, formimi i studentëve të aftë për të konkuruar në tregun europian të punës, janë motivi ynë i përditshëm, është sfida e stafit të mrekullueshëem të universitetit “Barleti”, ku spikasin individë me profil të lartë akademik dhe profesional në fushën e jurisprudencës, ekonomisë, shkencave shoqërore e atyre të aplikuara. Ekipi drejtues i universitetit është kujdesur gjithashtu që stafi akademik të jetë një kombinim brezash dhe shkollash.
Sistemi arsimor në Shqipëri, pa dyshim që përballet çdo ditë me sfidat e përmbajtjes së programeve, cilësisë, e standarteve. Universitetit tonë, si pjesë e sistemit privat të arsimit i duhet të përballet gjithashtu jo vetëm me to, por edhe me informalitetin, standartet e dyfishta, mungesën e rregullave të lojës, pse jo edhe korrupsionin. Por, ne e kemi bërë zgjedhjen tonë. Ajo është përpjekja e vazhdueshme për të përmirësuar përmbajtjen e programeve në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, me ekspertë lokalë të fushës, me grupet e interesit dhe biznesin vendas; aplikim i standarteve ndërkombëtare të mësimdhënies dhe mësimnxënies, kontroll, cilësi dhe vlerësim të brendëshëm në të gjitha fazat.
Në sajë të kësaj filozofie dhe këtij standarti, universiteti “Barleti” ka arritur të jetë një universitet i vlerësuar nga komuniteti, i vlerësuar nga partnerët ndërkombëtarë dhe i akredituar si institucion dhe për programet e studimi që ofron gjithashtu.
Pranë këtij universiteti funksionon qendra Pearson, si qendër e çertifikuar për testimin e gjuhës angleze të njohur ndërkombtarisht.
Ne krenohemi edhe për faktin se një ndër universitetet prestigjoze amerikane, Universitetit Clemson, ofron në bashkëpunim me ne, programin e doktoraturës për studime ndërkombetare të familjes dhe komunitetit,
Ne punojmë që emrin e humanistit të madh, Barleti, që mban ky universitet ta meritojmë.
Kjo ditë është e shënuar për faktin se universiteti “Barleti” po hap dyert për të gjithë ata që duan të përfitojnë nga mundësitë e shumta për të studjuar në SHBA. Kjo ditë është akoma dhe më e shënuar sepse çdo individ i shkolluar me standarte akademike brënda apo jashtë vendit, është një garanci më shumë për ecjen përpara të vendit tonë.
20 vite demokraci, 20 vite të një tranzicioni të tejzgjatur si ky i yni, besoj se janë një arësye e mjaftueshme, për të kuptuar nevojën dhe domosdoshmërinë e pasurimit apo edhe të rifreskimit të elitave politike dhe drejtuese me individë të rinj, të shkolluar dhe të gatshëm për tu përballuar me sfida dhe për të marre përsipër misione.
Modeli i SHBA, modeli i politikës së këtij vendi, ku demokracia dhe respektimi i lirive dhe të drejtave të njeriut janë vendosur në piedestal, të vendit ku respektohet dhe vlerësohet ekonomia funksionale e tregut, vendit ku vlerat janë përcaktuese, por mbi të gjitha ku sistemi arsimor tregoi edhe në këto vite të tejzgjatura të krizës ekonomike botërore, se ishte më i konsoliduari, është modeli që ne duhet jo thjeshtë ta ëndërojmë, por të perpiqemi ta kemi.
Shkollimi dhe edukimi i vjueshëm është një nga rrugët për realizimin e tij.
është nder dhe privilegj, por edhe më shumë përgjegjësi për ne, të jemi shtëpia e kësaj qendre të rëndësishme, dhe Shqipëria një prej 170 vendeve të EducationUSA.
Më lejoni të falenderoj Ambasadorin Aleksandër Arvizu për prezencen e tij sot në këtë ceremoni inaugurimi.
Faleminderit Shumë Z. Ambasador!
Nuk mund të mos falenderoj stafin e ambasadës së SHBA në Tiranë, që me profesionalizëm, përkushtim, pasion dhe dashuri na kanë asistuar në këtë rrugë të nisur disa muaj më parë.
Falenderime të sinqerta edhe për stafin e EucationUSA që tashme e kanë filluar punën dhe kanë arritur sukseset e para në sajë të asistencës së tyre profesionale për të gjithë ata që kanë dëshirë të përfitojnë nga larmishmëria e programeve të studimit në SHBA.
Pa dashur të zgjatem më shumë, dua të bëj një falenderim të fundit: për Qeverinë amerikane, me financimin e së cilës është bërë e mundur hapja e qendrës së parë për Shqipërinë, pranë Universitetit Barleti me dy zyrat përkatëse, në korpusin qendror dhe në shkollën e studimeve master.
Kam kënaqesinë që fjalën t’ja jap Z. Ambasador Aleksandër Arvizu.