Forum për Politikat Publike: Përputhshmëria me Politikën e Kohezionit të BE-së dhe Kërkesat e Instrumentit të Para-aderimit (IPA) në Shqipëri: Qasja e qeverisjes shumë-nivelesh
Ditën e mërkurë, dt 12 Shtator 2012, në Qendrën e Informimit të BE-së, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) dhe Departamenti Qeverisje, Politika dhe Komunikim i universitetit “Barleti” zhvilluan forumin me temë “Përputhshmëria me politikën e kohezionit të BE-së dhe kërkesat e Instrumentit të Para-aderimit (IPA) në Shqipëri”. Hapja e aktivitetit u bë nga Z. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA) dhe Znj. Zamira Çavo, Përgjegjëse e Departamentit Qeverisje, Politika dhe Komunikim, universiteti “Barleti”.
Të pranishëm ishin aktorë nga shoqëria civile dhe studentët e programit Master në Politika Europiane dhe Administrim Publik.
Punimi u prezantua nga Dr. Dorian Jano, Pedagog pranë këtij departamenti në Universitetin “Barleti”, i cili nënvizoi faktin se, duke pasur parasysh mungesën e një politike të duhur të kohezionit në Shqipëri dhe fazën elementare të përgatitjes së saj në kontekstin e pranimit në BE, detyra emergjente për Shqipërinë është zhvillimi i një politike rajonale në përputhje me parimet e politikës së kohezionit të BE-së dhe kërkesat e IPA-s.
(Mos) Suksesi i Politikës së Zhvillimit Rajonal do të varet nga (mos) funksionimi i qeverisjes shumë-nivelesh dhe shumë-aktorësh (përvoja e vendeve nga Evropa Qendrore) dhe në lidhje me këtë aspekt një ndër rekomandimet e ofruara në forum ishte ngritja e kapaciteteve dhe mirë-koordinimi midis partnerëve, institucioneve vendore dhe lokale, dhe aktorë të tjerë nga shoqëria civile dhe sektori privat. Shembulli Slovak i rekrutimeve intensive, trajnimet dhe pagesat konkurruese ishin politika të suksesshme për t’u marrë si model.
Synimi i këtij forumi ishte stimulimi i një debati konstruktiv dhe profesional mbi funksionimin e qeverisjes gjithë përfshirëse në shumë nivele, si faktor përcaktues në suksesin e politikave strukturore dhe të kohezionit në rastin e vendeve të Evropës Qendrore, që janë anëtarësuar gjatë viteve të fundit, gjetjen e modeleve të përshtatshme për t’u marrë si shembull, dhe rekomandimeve e konkluzioneve.
Forumi ishte i pari i këtij lloji dhe u mbyll me seancën pyetje-përgjigje.