Ditën e martë datë 3 Korrik 2012, në Universiteti Barleti Kampusi I salla A 24, ora 12.00 u realizua një takim informues rreth programit të studimeve të doktoratës, "Studime ndërkombëtare për familjen dhe komunitetin" i ofruar nga Universiteti Clemson në ambjentet e Universitetit Barleti. Programi do të fillojë në vjeshtën e vitit akademik 2012-2013, dhe në të do të mund të aplikojnë jo vetëm studentë nga Shqipëria por edhe nga rajoni i Ballkanit.
Në këtë takim morën pjesë, studentë të interesuar për programin e doktoratës, Pedagogë të UB dhe nga Universitete të tjera, përfaqësues të programit Brain Gain në Shqipëri etj.
Koordinatori i Studimeve pasuniversitare i Institutit për familjen dhe jetën në komunitet, në Universitetin Clemson, instituti përgjegjës për ofrimin e programit, Profesori Mark Small, shpjegoi objektivat, qëllimet dhe modalitetet e aplikimit të programit në Tiranë. Profesor Small në prezantimin e tij tha se Universiteti Clemson, nëpërmjet ofrimit të këtij programi doktorate në ambjentet e Universitetit Barleti, synon krijimin e një grupi profesionistësh të nivelit të lartë në fushën e kërkimeve dhe zhvillimit të familjes dhe komunitetit.
Ai u shpreh se përveç lëndëve, profesorëve dhe metodave të mësimdhënies të Universitetit të Clemson, ky program do t'ju krijojë një mundësi të shkëlqyer profesionistëve të shkencave sociale, ligjore, mjekësore, ekonomike të rajonit të Ballkanit për tu kualifikuar sipas modelit amerikan në kontekstin e tyre dhe për të shkëmbyer informacionet dhe eksperiencat mes vendeve të ndryshme.
Studentët do të jenë të rregjistruar në Universitetin Clemson duke pasur një shans të madh në shfrytëzimin e një sërë lehtësirash si bibliotekën së tyre online, sistemin online të informimit dhe mësimdhënies, rrjetin e bashkëpunimit me studentë dhe pedagogë nga e gjithë bota. Në fund të studimeve do të marrin titutllin PhD nga Universiteti i Clemson.
Ai gjithashtu theksoi se tarifa e studimeve për studentët e Ballkanit është shumë më e reduktuar se studentët që studjojnë në ShBA, dhe se është tepër konkurruese për tregun shqiptar dhe atë rajonal.
Natyra Agani, nga Kosova, doktorante e këtij programi në Universitetin Clemson, ShBA, ndau me pjesëmarrësit eksperiencën e shkëlqyer që ky program i ka mundësuar. Ajo u shpreh se duke qenë studente e këtij programi ka pasur mundësinë të zhvillojë në mënyrë tepër profesionale dhe cilësore aspiratat e saj për karrierë dhe njëkohësisht të përballej me një mjedis miqësor dhe bashkëpunues. Hapjen e këtij programi në rajon ajo e konsideroi si një mundësi unike dhe të jashtëzakonshme për profesionistët shqiptarë dhe ata në rajon.
Në fund të takimit shumë të interesuar bënë pyetjet dhe komentet përshëndetëse për fillimin e programit.