Programi IPA - Bashkëpunimi Ndërkufitar Shqipëri - Mali i Zi
Në 3 Korrik 2012, në ambjentet e Universitetit "Barleti", u organizua një takim prezantues i projektit "Arti, Plastika dhe Ricklimi".
Në këtë këtë takim morën pjesë: përfaqësues të njësive të qeverisjes vendore të Qarkut të Shkodrës për zonën rrethuese të liqenit, përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizatave jo qeveritare si dhe studentë dhe stafi i UB-së.
Takimi u hap nga rektori i universitetit Prof.Dr.Mareglen Spiro, i cili falenderoi pjesëmarrësit dhe ju uroi atyre mirëseardhjen. Prof. Spiro, ndër të tjera vuri në dukje angazhimin e UB-së në projekte të ndryshme duke i ardhur në ndihmë komunitetit dhe mjedisit.
Përfaqësuesi i Delegacionit Europian në Shqipëri dhe njëkohësisht menaxher i programit IPA të Bashkëpunimit Ndërkufitar Shqipëri-Mali i Zi, Z. Ivan MANZANO BARRAGAN, bëri një përshkrim të shkurtër të programit, të përmbajtjes si dhe vlerësoi punën e bërë për këtë projekt.
Përfaqësuesit e njësive të qeverisjes vendore përkatësisht, Z.Nektar Dume nga Bashkia Shkodër, Z.Lirim Nani, kryetari i komunës "Gruemirë", Z.Isa Ramaj, kryetari i komunës "Qendër", shprehën vlerësimin e tyre për konceptimin e këtij projekti, rëndësinë që ai paraqet për popullsinë e zonave në fjalë dhe shprehën angazhimin e tyre për të bashkëpunuar në këtë projekt.
Në emër të partnerëve në këtë projekt, Z.Besnik Kasemi Drejtor Ekzekutiv i Deliart Association, bëri një prezantim të misionit dhe veprimtarisë së deritanishme të Deliartit, duke vënë theksin në angazhimin social të kësaj organizate. Më pas Z. Kalemi u ndal në bashkëpunimin e deritanishëm me Universitetin Barleti dhe përfshirjen e Deliart Association në projektin "Arti, Plastika dhe Riciklimi".
Dr.Gazmend Zeneli, menaxher i projektit, në prezantimin e tij bëri një përshkrim të problematikës lidhur me mbetjet në zonat rreth Liqenit të Shkodrës dhe rëndësisë së ndërmarrjes së këtij projekti. Më pas ai foli për objektivat e projektit, aktivitetet që do të realizohen dhe rezultatet e pritshme. Dr. Zeneli vuri theksi në rëndësinë që ka bashkëpunimi me pushtetin lokal, si përfituesit kryesor të këtij projekti.
Gjate pyetjeve dhe diskutimeve të pjesëmarrësve, u shprehën përgëzime për ndërmarrjen e kësaj iniciative dhe gatishmërinë për të kontribuar në këtë projekt.