Në vijim të ciklit të leksioneve të hapura në Universitetin Barleti, Z.Ilir Mitezi zhvilloi në 6 Qershor në Kampusin 2, leksionin me temë: Politikat Monetare dhe Vdekja e Targetimit të Inflacionit. Në kushtet e krizës aktuale, politikat monetare të ndërmarra nga Bankat Qendrore janë një element shumë i rëndësishëm për daljen nga kriza, por edhe për parandalimin e tyre në të ardhmen. Profesor Mitezi shpjegoi se si janë zhvilluar tre format kryesore të politikave monetare që mund të ndërmarrin Bankat Qendrore.
Ai theksoi se, në vitet 70-80 ishte me e hapur ndërmarrja e masave monetare, në vitet 90 ishte ndërhyrja dhe loja me kurset e këmbimit, ndërsa në vitet 2000 ishte ndërhyrja në normat e inflacionit. Një element mjaft i rëndësishëm i shpjeguar gjatë leksionit ishte i ashtuquajturi kurth i likuiditetit, në të cilin kanë rënë tashmë disa vende të zhvilluara si Japonia, por edhe Amerika është drejt asaj rruge.
Profesor Mitezi sqaroi se, sipas këtij koncepti Banka Qendrore ul normat e interesit gradualisht, praktikisht deri në 0%, për të nxitur ekonominë. Dhe në rast se kjo politikë nuk funksionon më, Banka Qendrore nuk ka më mundësi të përdorë normat e interesit, duke qenë se ato kanë shkuar tashmë shumë afër 0%. Për këtë arsye, gjatë viteve 2000 mori përhapje dhe politika e targetimit të inflacionit. Pra, parashikimi dhe deklarimi i një norme më të lartë të pritur të inflacionit, për të nxitur përdorimin e parasë, si dhe rritjen ekonomike.
Por, kriza e fundit tregoi që edhe kjo politikë nuk funksionoi ashtu siç mendohej. Për këtë arsye lindi nevoja për politika të reja monetare krijuese. Një politikë e tillë e re është ajo e targetimit të normës nominale të produktit të brendshëm bruto (NGDP). Megjithatë, akoma nuk dihet nëse kjo politikë do të zbatohet nga të gjitha Bankat Qendrore.
Në leksion ishin të pranishëm studentë të studimeve master si dhe anëtarë të stafit akademik.
Leksioni i radhës, me temë: Kursimet dhe Investimet, do të zhvillohet ditën e Martë, dt. 12.06.2012, në Kampusin Nr. 1, Salla A 23, ora 10:30.
Ju mirëpresim të gjithëve.