Ditën e premte, më datë 15 Qershor, profesor Ilir Mitezi nga Universiteti i Michigan-it dha leksionin e radhës për studentët e programit master profesional 60 ECTS. Tema e leksionit ishte: "Harmonizimi i politikave monetare dhe fiskale në kohëra të mira dhe të këqija".
Shpesh, politikat monetare dhe fiskale ndërthuren me njëra-tjetrën, për të ndihmuar ecurinë e zhvillimit ekonomik. Gjatë leksionit, Prof. Mitezi shpjegoi se si politikat monetare dhe fiskale neutralizojnë njëra- tjetrën në kohë krizash. P.sh. në përgjithësi, politikat fiskale për ulje taksash shoqërohen me një rritje të normave të interesit. Dhe në rastet kur normat e interesit janë afër 0%, Bankat Qendrore nuk mund të luajnë më me ato. Për këtë, Prof. Mitezi sqaroi, një formë të re politike monetare që ndërmerret kryesisht nga Rezerva Federale në Amerikë, i quajtur Operacioni TWIST.
Nëpërmjet kësaj forme veprimi, Rezerva Federale ndikon në normat e interesit në mënyrë indirekte, duke shkëmbyer detyrimet afatshkurtra në dorëzim, me detyrimet afatgjata.
Leksioni u shoqërua me diskutime për çështje të ndryshme në lidhje me këtë temë nga studentët pjesëmarrës.
Me këtë leksion Prof. Ilir Mitezi mbylli dhe aktivitetet e tij në Universitetin Barleti, të zhvilluara në kuadër të bashkëpunimit me programin Brain Gain.
Gjatë këtyre aktiviteteve u diskutuan tema mjaft interesante të cilat u shoqëruan nga një pjesëmarrje aktive e studentëve dhe e stafit akademik të Universitetit Barleti.