Sot, më datë 16 Maj 2012, Universiteti Barleti së bashku me EDIC, një nga qendrat që është ngritur brenda tij, u pranua zyrtarisht si pjesë e EBN - European Business and Innovation Centre Network, rrjetit më të madh në Europë të qendrave që ofrojnë inovacion dhe mbështetje për sipërmarrjet e reja dhe ekzistuese. EBN është tashmë rrjeti kryesor joqeveritar ndëreuropian, i cili bashkon më shumë se 200 Qendra Biznesi dhe Inovacioni - BIC dhe organizata të ngjashme si inkubatorë, qendra për sipërmarrje dhe inovacion përmes Europës.
BIC-të janë organizata që promovojnë inovacion dhe sipërmarrje. Ato ndihmojnë sipërmarrjet për inovacion, drejtojnë krijimin e bizneseve të reja (mbështesin inovacionin, inkubacionin dhe ndërkombëtarizimin) si dhe promovojnë zhvillimin ekonomik nëpërmjet krijimit të vendeve të punës dhe sipërmarrjeve, dhe këto krahas zhvillimit të qëndrueshëm.
Rrjeti është gjithashtu një organizatë ombrellë për më shumë se 200 BIC nga e gjithë Europa. Rrjeti siguron ndihmë dhe mbështetje për çdo BIC duke vepruar si ndërlidhës me organizata të tjera, përfshirë këtu edhe Komisionin Europian, duke ofruar ekspertizë në fusha të ndryshme, përfshirë financim, si dhe nëpërmjet stimulimit të shkëmbimit të praktikave më të mira.
EBN ndjek nga afër zgjerimin e Bashkimit Europian dhe politikat e vendeve fqinjë, dhe po zhvillon rrjete bashkëpunimi me pjesën tjetër të botës.
