Në datë 28 maj 2012, Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, z. Ettore Sequi mbajti një leksion të hapur me temë "Shqipëria dhe procesi i integrimit të saj në BE: Sfidat që duhet të përballen dhe roli i shoqërisë civile" në një nga auditoret e Universitetit Barleti.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të muajit të Europës si edhe në kuadër të nismës që ka ndërmarrë UB dhe AIPA për të diskutuar me personalitete publike dhe diplomatë të spikatur çështje që prekin fusha të ndryshme të jetës. Në këtë leksion të hapur morën pjesë studentë të të gjitha fakulteteve dhe niveleve, si edhe stafi akdemik i UB-së.
Leksioni i mbajtur nga Ambasadori Sequi u zhvillua në një format jo-formal, ky mbizotëroi bashkëbisedimi dhe debati për aspekte të ndryshme që lidhen me procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Ambasador Sequi në prezantimin e tij e vuri theksin tek avantazhet e të qënit pjesë e familjes europiane, duke sjellë shembuj realë nga përfitimet që patën vendet e lindjes që u anëtarësuan në vitet 2004 dhe 2007, si edhe në detyrat që duhet të adresojë klasa politike shqiptare për të avancuar më tej në këtë proces.
Ambasadori Sequi nënvizoi gjithashtu rolin e shoqërisë civile, dhe sidomos të botës akademike në këtë proces. Duke ju drejtuar studentëve dhe stafit akademik të UB, ai bëri thirrje për më shumë pjesëmarrje dhe angazhim në tryezat e debatit dhe në dhënien e opinioneve të pavarura të cilat janë të domosdoshme për përmbylljen me sukses të procesit të integrimit.
Studentët dhe pedagogët patën mundësi të ndanim mendimet e tyre lidhur me sfidat që presin Shqipërinë dhe rolin që vetë BE luan në këtë proces.