Ditën e hënë, më 28 maj 2012 në mjediset e Universitetit Barleti u zhvillua seanca e fundit e Takimit të parë Ndërkombëtar në kuadrin e projektit TEMPUS "Të zhvillojmë të drejtat e njeriut në zemër të arsimit të lartë".
Takimi filloi me shpalljen e fituesit të konkursit për logon më të mirë : Mirjan Petro ! Student në Universitetin tonë!
Ky takim i bashkëorganizuar nga Universiteti "Barleti", Universiteti i Tiranës dhe Universiteti Europian i Tiranës, nisi më 26 maj 2012 në një nga mjediset e Hotel Tirana International me një pjesëmarrje të gjerë akademikësh e studentësh, përfaqësues të shoqërisë civile, medias dhe aktivistë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Pjesë e aktiviteteve të projektit, që synon përfshirjen sa më të gjerë të studentëve në krijimin e një mjedisi sa më miqësor, jo vetëm për njohjen e të drejtave të njeriut, por edhe për tNULLu bërë qytetarë aktivë në mbrojtjen e tyre, ishte dhe konkursi i shpallur në fillim të muajit mars të këtij viti për krijimin e logos zyrtare të Projektit të mbiquajtur HEART - (simbolikisht ZEMëR nga anglishtja), si akronim i Higher Education Action for Rights Teaching.
Posterat e vendosura në mjediset e 11 Universiteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, pjesëmarrëse në projektin HEART, Universiteti Barleti, Universiteti i Tiranës,Universiteti Europian i Tiranës Shqipëri; Universiteti i Prishtinës, Kosovë; Universiteti i Sarajevës dhe i Zenicës në Bosnjë Herzegovinë; Universiteti i Podgoricës dhe Donja Goricës në Malin e Zi; Universiteti Beogradit, Kragujevacit dhe Novi Sadit në Serbi; ftonin të gjithë studentët që deri më 20 maj të dergonin një krijim të tyre.
Pas një seleksionimi paraprak në secilin prej universitetev, 33 logo u dërguan për vlerësim, nga studentët e këtyre universiteteve.
Universiteti Barleti konkurroi me tre logo punuar nga studentët: Mirjan Petro, viti i I, IT, Fatjon Kapllanaj, Viti i I, IT dhe Enri Ymeraj, viti i II, Drejtësi.
Juria e konkursit, e përbërë nga Komiteti Drejtues i projektit prej 21 anëtarësh, përfshirë dhe përfaqësues nga Universitetet e Gotenburgut, Suedi; Manheimit, Gjermani; Galway, Irlandë dhe Universiteti i Roehamptonit, Britani e Madhe për dy ditë rradhazi përzgjodhi me procedura transparente votimi logot më të mira. Në fund të procesit, ndër tre logot e përzgjedhura me shumicë votash u zgjodh logoja fituese.
Vendimi për fituesin e konkursit e dha Dr. Michele Lamb, drejtore e Qendrës për të drejtat e njeriut, pranë Departamentit të shkencave sociale të Universitetit të Roehampton në Londër, departament që ofronte dhe çmimin për fituesin.
Vendimi ishte mbresëlënës dhe solli edhe kënaqësinë e koincidencës, që fituesi ishte nga UB ku edhe ishte përcaktuar që më parë të zhvillohej ky aktivitet.
Mirjani i befasuar dhe i emocionuar përshëndeti dhe falenderoi për këtë vlerësim si dhe mori përgëzimet e të gjithë pjesëmarrësve nga universitetet partnere, stafi akademik dhe studentët.
Çmimi është një Tablet PC . Ndërsa logoja fituese do të përdoret në të gjithë dokumentacionin e projektit HEART për tre vjet rradhazi.
Mirjan Petro shtoi numrin e çmimeve të fituara nga studentët e Universitetit Barleti në konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare përgjatë historikut të universitetit.
Suksese të mëtejshme Mirjan!