Më datë 9 Maj 2012, ditën e Europës, u organizua nga departamenti Qeverisje, Politika dhe Komunikim i Universitetit Barleti, workshop-i me temë "Sfidat e Integrimit Europian". Në këtë workshop u trajtuan sfidat me të cilat përballet sot integrimi dhe zgjerimi europian, parë në këndvështrimin filozofik, historik dhe politik. Ky forum akademik solli jo vetëm punime dhe gjetje empirike për të kuptuar problematikën e stanjacionit të integrimit dhe zgjerimit evropian, por gjithashtu rigjeneroi domosdoshmërinë për hulumtime të mëtejshme rreth çështjeve të integrimit dhe zgjerimit europian.
Në sesionin e parë, moderuar nga Drnt. Eurona Leka, referatet e Prof. Dr. Paskal Milo dhe Dr. Zamira Çavo mbi origjinën e Bashkimit Europian dhe sfidat e një solidariteti të munguar në diversitetin e unionit, sollën në vëmendje disa refleksione të dobishme historike dhe filozofike mbi Europën.
Sesioni i dytë, moderuar nga Drnt. Xhuljeta Krasta, trajtoi aspekte të politikave europiane. Referuesit, Znj. Irma Baraku, Komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Dr. Reis Mulita, u përqendruan në masat anti-diskriminuese dhe në rrjetet e komunikimit pan-europian.
Sesioni i tretë, moderuar nga Ma. Fatjona Qurku, analizoj Europianizimin e Shqipërisë. Punimet e Dr. Enis Sulstarova dhe Dr. Dorian Jano, argumentuan rreth ndikimit të BE-së në ligjërimin publik, në politikat dhe në institucionet Shqiptare.
