Në kuadër të "Javës së Europës në UB", organizuar nga Departamenti i Qeverisjes, Politikave dhe Komunikimit, e cila ka nisur në datën 7 maj me Simfoninë Europiane, ditën e martë, datë 8 maj 2012, u organizua aktiviteti: Sa e njohim Europën... Studentë dhe gjimnazistë "përballë njëri-tjetrit".
Me iniciativën e vetë studentëve të vitit të tretë të degës Shkenca Politike por edhe të vitit të parë master, të ndihmuar edhe nga pedagogët e departamentit, aktiviteti përfshinte dy etapa.
Etapa e parë iu dedikua pikërisht atyre, me prezantime të vetë studentëve dhe diskutime të lira rreth Bashkimit Europian, kulturës dhe shoqërisë evropiane, gjithashtu edhe me kuriozitete rreth simbolikës së datës 9 maj, flamurit europian, krijimit të monedhës EURO etj.
Studenti Eduart Qatja kreu me shumë profesionalizëm rolin e moderatorit të panelit të studentëve, ndërsa të tjerët me radhë, me shumë seriozitet, por edhe me emocione, prezantuan temat e tyre.
Elisabeta Dogani bëri një prezantim të shkurt të lindjes së BE-së, Enisa Heba u tregoi të pranishëmve se si lindi dhe çfarë personifikon flamuri i Bashkimit Europian, Andi Rexha paraqiti një biografi të shkurtër të Robert Schuman, Alba Hasanaj përshkroi Bankën Europiane, ndërsa Kejsi Cela dhe Blerta Aleti prezantuan përkatësisht krijimin e EURO-s dhe Parlamentin Europian. Ndërsa studentet e Masterit Shkencor në Politika Europiane dhe Administrim Publik, Armela Memaj dhe Fatjona Bisheva, prezantuan përkatësisht historikun e marrëdhënieve BE - Shqipëri dhe Komunikimi në BE.
Etapa e dytë iu dedikua Quizit që ishte përgatitur për gjimnazistët. Nën moton " Njohurive tuaja SOT, ne u japim mundësi të zhvillohen për një të ardhme të sigurt NESëR, si qytetarë të denjë EUROPIANë", sfiduan njëri-tjetrin, por edhe veten, gjimnazistë nga shkollat Qemal Stafa, Partizani dhe Meridian + .
Në fund të aktivitetit, për ta mbyllur ashtu siç u nis, me Europën, u realizua një galeri e pasur me fotografi.